Kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako mori pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e Ditës Botërore të Diabetit pranë Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”, në Durrës.
Ky aktivitet është organizuar nga shoqata e diabetit, spitali rajonal Durrës, Instituti Shëndetit Publik në bashkëpunim me bashkinë e Durrësit ku tema ka qenë që të gjithë të bashkohen në një zë të fuqishëm për të parandaluar diabetin, këtë “pandemi” të re globale.
Gjatë këtij aktiviteti sensibilizues mjekët kanë kryer edhe matjen e thjeshtë të glicemisë falas për qytetarët e shumtë që kanë ardhur për t’u kontrolluar nëse kanë ose jo shenjat e diabetit.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe prefekti Roland Nasto, drejtoresha e spitalit rajonal të Durrësit Nadire Jani, si dhe personalitete të tjerë të qytetit.
Kryebashkiaku Dako i është bashkuar kësaj nisme sensibilizuese për të parandaluar diabetin dhe për të ndërgjegjësuar ata qytetarë që nuk janë prekur nga sëmundja që të bëjnë vazhdimisht kontrollet përkatëse në mënyrë që të parandalohet kjo sëmundje.
Aktivitete të tilla shërbejnë për të rritur ndjeshmërinë e njerëzve që kjo sëmundje të mbahet nën kontroll dhe të parandalohet. Diabeti është një sëmundje kronike me kosto të lartë sociale, shëndetësore dhe ekonomike. Diabeti ka kosto të lartë sociale, sepse diabeti nuk prek vetëm një njeri, nëse ka një person në familje me diabet e gjithë familja, komuniteti, preket dhe ndikohet në mënyra të ndryshme nga kjo sëmundje.
Diabeti ka kosto të lartë shëndetësore, pasi është një sëmundje që po nuk u zbulua dhe u mjekua në kohë dhe në mënyrë të rregullt, ai shkakton ndërlikime serioze si, sëmundje kardiovaskulare, verbim, sëmundje të veshkave, amputime të këmbëve etj.
Tek personat me diabet, rreziku për sëmundje kardiovaskulare është 2-4 herë më i lartë se tek personat pa diabet, ose amputimet e këmbës janë 10 herë më të shpeshta se tek personat pa diabet. Por diabeti ka edhe kosto ekonomike, sepse diabetiku ka nevojë për medikamente, trajtime dhe ekzaminime që shpesh janë të kushtueshme. Diabeti e rrit koston e jetës së diabetikut me të paktën 25%. /atsh