Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në Ditën Botërore të Infermierëve, ka falenderuar infermierët dhe vaksinatorët, duke shprehur vlerësimin dhe mirënjohjen për punën e palodhur në këto muaj të Pandemisë.
“Angazhimi juaj në këtë fushatë të vaksinimit masiv, përpos gjithë punës që ju bëni në qendrat shëndetësore, është me të vërtetë një punë e madhe, e rëndësishme në dobi të shëndetit të popullatës. Ndaj unë sot kam kënaqësinë të jem këtu mes jush dhe nëpërmjet jush, dua të falenderoj të gjithë vaksinatorët tanë, kudo në sistemin tonë shëndetësor, në qendra shëndetësore, në pikat e vaksinimit të përqendruar për punën e madhe dhe gjithë sakrificën që ju keni bërë ditëve të javës, pasditeve, ditëve të shtuna, ditëve të diela, për të mundësuar një vaksinim me ritme të larta të popullatës”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë theksoi se ritmet e vaksinimit do vijojnë të shtohen dhe fasha e moshës do të ulet sërisht.
“Në këto momente, duke qenë dhe përpara sezonit të turizmit, ne do të përpiqemi që, me sasitë e disponueshme të vaksinave që kemi dhe atyre që presim që të na vijnë, të ecim sa më shpejt me ritme të larta për procesin e madh të vaksinimit, i cili do të vijojë edhe me grupe të tjera, sipas planit të vaksinimit të kombinuar. Pra me grupe të tjera të riskuara në shërbimet kritike, por edhe duke ulur fashën e grupmoshës”, deklaroi Manastirliu.
Duke vlerësuar procesin e vaksinimit me ritme të larta, Manastirliu ka bërë me dije se deri tani janë kryer mbi 622 mijë vaksinime antiCOVID, mes të cilëve 180 mijë qytetarë I kanë kryer të dyja dozat e vaksinës.
Më herët, Ministrja Manastirliu vizitoi Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku vlerësoi punën e stafeve infermierore në këtë qendër terciare dhe në të gjithë Shqipërinë.