Kombëtarja Shqiptare e Futbollit do të zbresë sot në qilimin e gjelbër të “Elbasan Arena” për tu ndeshur ndaj Uellsit në një miqësore që merr trajtat e një sfide për mbijetesë për të besuarit e trajnerit Italian, Kristian Panuçit.
Humbja në “Loro Boriçi” ditën e shtunë ndaj Skocisë me rezultatin 4-0 ka ngjallur një debat të madhe në vendin tonë mbi të ardhmen e kombëtares, ku tifozët kuqezinj në radhë të parë, por dhe specialist të ndryshëm kanë kërkuar largimin e Panuçit nga pankina kuqezi. Vetë Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit nuk ka preferuar të prononcohet për mediat, ndërsa tekniku Italian ka lënë të kuptohet se fati i tij është në duart e FSHF, edhe pse ka nënvizuar se prova e vërtetë për aftësitë e tij do të jenë eliminatoret për kampionatin e ardhshëm evropian të futbollit.
Gjithsesi, pavarësisht pritshmërive dhe debateve, ndaj Uellsit ka nevojë për një reagim, Shqipëria duhet të gjejë pak buzëqeshje. Përtej faktorit psikologjik, nuk është një ndeshje e lehtë, bëhet fjalë për Garet Bale me shokë, një skuadër që renditet e 18-ta në botë, edhe pse rezultatet e fundit nuk i ka pasur pozitive, me 3 humbje në 4 ndeshjet më të freskëta. Uellsi është një provë e fortë, sidomos për Shqipërinë, që nuk shënon gol prej katër ndeshjesh, ndërkohë që është ndëshkuar në tetë raste. Prandaj ndeshja ndaj Uellsit është një sprovë për kombëtaren tonë të futbollit. /atsh