Ditë zie për artin, ndërron jetë aktori dhe regjisori i njohur Pirro Mani

Ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare aktori dhe regjisori i njohur Pirro Mani.

Mësohet se Mani ka ndërruar jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetonte prej disa kohësh së bashku me familjen e tij.

Mani ka lindur në Korçë, ndërkohë që studimet i ka kryer në Moskë, në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet.

Që nga 1967 – 1992 ka qënë regjisor i Teatrit kombëtar, ku ka vënë me dhjetra pjesë teatrale. Në karrierën e tij artistike numëron mbi 80 shfaqje. Është nderuar me shumë çmime. Është mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës.

Shfaqjet kulminante janë “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të”, “Prometeu”, etj. Është angazhuar edhe në disa filma artistikë. Ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”.

Mani jetonte prej disa vitesh në Nju Jork, së bashku me bashkëshorten e tij, aktoren e njohur Pavlina Mani.
Lidhur me këtë ndarje nga jeta të Manit, një postim prekës ka bërë edhe këngëtari Elton Deda.

“Fluturo tashme me enjgjejt babai i Teatrit. Ke sjelle shume gezime ne jeten time. Dhe cfare trishtimi solle sot. Do te te jem mirenjohes per gjithcka, per dashurine qe me dhe, per trajtimin jo si i dashuri i Joles por si artist dhe koleg. Madheshtia jote nuk ka fund! Ashtu si nuk do kete kurre fund vepra dhe pasuria qe na le! Qofsh i parajses babi Piro!”, shkruan Deda në postimin e tij në rrjetet sociale.

Loading...