Laguna e parkut Divjakë-Karavasta është kthyer në një magnet për flamingot, zogjtë me qafën e hollë dhe të harkuar dhe me këmbët e hijshme, të cilët e frekuentojnë atë prej 10 vitesh.
Pas flamingove të ardhur nga Franca, Guida turistike Divajkë-Karavasta ka sjellë një tjetër lajm interesant.
“Guida si gjithmonë në shoqërimin e mjeshtrave të fotografisë së botës së egër pati fatin të fotografonte dhe identifikonte flamingot me unazë në këmbë. Falë mjeshtrit të madh të fotografisë së botës së egër Wildlife Albania Photographers, Granit Hyseni zbulojmë se flamingot e identifikuara nga unazat e kapura vijnë nga Italia”, bën të ditur për ATSH-në administratori i guidës turistike Divajkë-Karavasta, Altin Hila.
Sipas tij, pas 10 vitesh studimi gjatë këtij viti falë fotografive arritëm që ti lexojmë saktë unazat në këmbët e flamingove.
“Çudia është se janë tre koloni, ku në të treja ne kemi kode të ndryshme, gjë që të bën të mendosh ato nuk kanë lidhje me njëra tjetrën dhe që vijnë nga vende të ndryshme”, nënvizon Hila.
Ai sqaron se sipas profesoreshës Jostina Dhimitri, që është marrë me ekzaminimet e tyre dhe ka kontaktuar me origjinën, nuk kanë lidhje me njëra tjetrën”.
“Flamingot janë shpendë që kanë ardhur prej 10 vitesh dhe vetëm vjet u larguan rreth dy muaj. Ata janë mbajtur në vëzhgim nga ne dhe me vonë janë studiuar në detaje nga ornitologë dhe nga organizata “Wildlife Albanian Photographers”, të cilët me aparaturat e tyre arrijnë në detaje deri tek unazat”, thekson Hila.
Zogjtë lozonjarë që tërheqin vizitorë të shumtë në vëzhgimin e piruetave të tyre, herët në fillim dite dhe përshëndesin diellin në perëndimin e tij. Ata janë kthyer në një destinacion për turizmin e vëzhgimit të tyre në habitatet natyrore ku jetojnë.
Flamingot jetojnë gjithmonë në grupe, që nga grupet e vogla deri në qindra mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit. Fluturimi bëhet duke formuar radhë të gjata ose në formë V-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre – një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit./atsh