Djali i Remzi Hoxhës: “Berisha porositi vr.asjen e babait tim, është shpirtlig”

Djali i Remzi Hoxhës, Ardian Hoxha ka qenë i ftuar në studion e Fax News ku ka bërë akuza të forta për zhdukjen e babait të tij, 24 vite më parë.

Ardian Hoxha shprehet se vrasjen e babait të tij e ka urdhëruar Sali Berisha, por nuk shmang zhgënjimin që ka ndaj kryeministrave të PS-së që nuk e kanë zbardhur ngjarjen, pavarësisht premtimeve të shumta në drejtim të familjes së tyre.

“Kam qenë 14 vjeç kur e kanë zhdukur babën, sot jam 38, nëna ishte 35 vjeçe me 5 fëmijë në moshë të mitur.

Në fillimet merreshin më shumë xhaxhallarët, pasi ne ishim shumë të vegjël, vazhdimisht dëgjoja për takimet që ata kishin me njerëz të ndryshëm, angazhimin të njerëzve me peshë në Kosovë dhe në Shqipëri për gjetjen e babait tim.

Përpjekjet ishin të kota, e mbaj mend që ishte me rrezik dhe të flisje për babain tim, njerëzit që na jepnin informacione thoshin ‘’të lutem mos e përmend emrin, se më ikën koka kam dhe unë familje”.

Tre emrat që kanë qarkulluar Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Bashkim Gazidede, treshja që shfaqej në çdo mozaik, dhe më pas u kuptua dhe arsyeja pse ndodhi. Ka qenë Sali Berisha ai që ka kërkuar eleminimin e babait tim, pasi kanë bërë pisllëqe në bashkëpunim me Serbinë, që të mos shfaqeshin më kurrë. Ata frikësoheshin se babi im ka pasur informacione për veprimet e tyre. SHIK-u ka zhdukur të gjitha gjurmët, prokurori Xhevat Hana mundi që të rindërtonte ngjarjen”, u shpreh Ardian Hoxha.

Hoxha tregon se qeveria shqiptare ka ndërhyrë direkt te vonesa e çështjes së Kumbaros në Angli, gjë e cila pasoi me lirimin e tij.

“Babi im u zhduk në kohën kur president ishte Sali Berisha, pas 97-tës në pushtet erdhi Fatos Nano, që ishte kundërshtar politik ne na u ngjallën shpresat, kaloi dhe ajo kohë dhe ne nuk pamë asgjë për këtë çështje. I gjithë faji iu hodh Ilir Kumbaros, u kap bashkë me gruan e tij në Angli, dhe kishte ndërruar emrin e tij. Qeveria e Sali Berishës nuk i çonte Anglisë dosjen e kompletuar, gjë që solli bllokimin e procesit. Ai u lirua pa mundur që të zbulohej identiteti i tij i vërtetë.

Ne u gëzuam shumë me ardhjen në pushtet të Edi Ramës, e takuam atë 5 muaj pas marrjes së qeverisjes. Na kërkoi më shumë kohë që të njihej me çështjen. As Edi Rama, as Braçe, as Ruçi, asnjë nga deputetët që merreshin me çështjen e babait tim nuk ka bërë asnjë lëvizje.

Me marrjen e informacioneve për Bludjon Meçen, unë kam takuar Saimir Tahirin, dhe ia kam dorëzuar të gjithë informacionet atij. Bludjon Meçe nuk ishte në koma, por ishte në Tiranë, Tahiri më tha se do ja kalonte dosjen policisë, dhe nuk ka bërë asnjë zbulim. Meçe ka vdekur në mënyrë natyrale, dhe ne humbëm një shans shumë të mirë për të zbuluar të vërtetën”, u shpreh më tej Ardian Hoxha.

Hoxha shprehet se prokurorja Elisabeta Imeraj është argatja e Sali Berishës, dhe ka dëmtuar dosjen e zhdukjes së Remziut.

“I gjallë është Ilir Kumbaro, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, është shtrembëruar procesi gjyqësor. Me vdekjen e Xhavit Hanës, dosja i kaloi argates së Sali Berishës, Elisabeta Imeraj. Ajo i shfajësoi akuzat për dy personat, dhe kërkoi dënimin vetëm me 13 vite burg për Ilir Kumbaron. ishte një tmerr, pasi rrëmbimi me pasojë vdekjen nuk mund të dënohet me 13 vite burgim. Gjykata më pas e dënoi me 15 vite’’.

Djali i Remzi Hoxhës shprehet se e gjithë bota e di që Berisha është kriminel, dhe në rast se ai nuk kishte gisht në vrasjen e të atit, duhej të takohej me ta.

”E di gjithë bota se çfarë njeriu kriminel dhe shpirtlig është zoti Berisha, ai e ka mohuar që ka pasur informacion, dhe më pas ka thënë që kishte dijeni, është kontravers, edhe po të mos dinte kaq kohë sa e kemi kërkuar ne, si nuk doli të dhe të thoshte: Po përflitem, më thoni çfarë ka ndodhur realisht dhe t’ju them çfarë di”

Ardian Hoxha shprehet se Berisha nuk ka dashur që të vrasë babanë e tij, por vetëm ta torturojë atë, pasi mendonte se kishte pamje filmike që dëshmonin implikimin e Berishës me Millosheviçin.

Loading...