Djemtë e valles së Vllahinës!
Sejmen Gjokoli
Kur dolën për herë të parë në skenë, në aktivitetin ” Rini & Polifoni”, organizuar nga Drkk Vlore, i pashë me simpati por edhe me jo pak skepticizëm.
Të rinjtë e shkollës së mesme ” Mynir Xhindi” të Vllahinës kishin marrë përsipër të na tansmentonin një valle burrash labe që vite më parë, pikërisht me këtë valle, grupi i famshëm i Vranishtit me të madhin e të pa harruarin Arap Çeloleskaj, ka tronditur skenat.
Madje në këtë takim ata vetëm sa e hodhën vallen se këngën e shoqëruan me vokalin që vinte i plotë përmes bokseve të zerimit.
I përgëzova por edhe u kërkova që nëse donin të ecnin edhe më tej me valle duhet pa tjetër ta bënin vetë dhe këngën.
Kaluan vetëm pak muaj nga ajo ditë dhe isha shumë kurioz ti shikoja përsëri në festivalin ” Gurra Folk Fest”, pas fjalës që më kishin dhënë.
U befasova por edhe u mrekullova.
Djemtë valltarë të Vllahinës e prunë si jo më mirë, me këngë e me të kërcyer, vallen burrërore të Labërisë.
Rrallë kam parë ta hedhin në skenë kaq mirë e kaq pranë orgjinales të rinj në moshë të tyre.
Kësaj mënyre të kërcyeri ja njoh mirë vështirësinë ndaj dhe e çmoj shumë këdo që merr guximin ta prezantojë në publik e në skena.
Me fuqi, me ekspresivitet, me duf e me tërsëllimë u përpoqën ta realizojnë këta “burra” të njomë.
Si burrat labë kur lidhen në valle.
Mirënjohje e faleminderit, djelmosha të shkollës së Vllahinës!
Me vallen tuaj me “apapapa” i dhatë më shumë shpirto këngës e valles burimore të rinisë shkollore në ” Gurra Folk Fest”-2019.
E burrëruat e zbukuruat, e bëtë më autentik e na i sollët më afër trashëgiminë shpirtërore në festivalin plot nur e folk të rinisë.
Dhe…shpejt u bëfshi një dyzinë…