Djemtë rrahin babain për t’i marrë biznesin(video)

Emisioni “Stop” në Tv Klan ka trajtuar rastin e dy vendimeve gjyqësore të dhëna nga i njëti gjykatës për të njëjtat palë të përfshira në çështje. Bujar Haxhiu thotë për “Stop” se është dhunuar nga dy djemtë e tij, të cilët kërkojnë që t’i marrin biznesin. 

Ai qëndroi 1 ditë e gjysmë në spital si pasojë e lëndime që kishte pësuar nga dhuna që kishin ushtruar fëmijët.

Z.Haxhiu shprehet se gjykata ka dhënë dy urdhra-mbrojtje për këtë rast, që 62-vjeçari të mos i afrohet lokalit që ka në pronësi dhe që djemtë të mos i afrohen banesës së të atit. Mirëpo, mbi lokalin në fjalë, në katin e dytë ndodhet banesa e zotërisë. Bujar Haxhiu kërkon zgjidhje, teksa shprehet i frikësuar për jetën nëse përballet sërish me dy djemtë.

Vendimi i gjykatës për urdhrat e mbrojtjes jo vetëm që ka shkelje për shkak të afërsisë së biznesit me banesën, por nuk e lejon 62-vjeçarin që të shkojë te lokali i tij që ka në pronësi me dokumente të rregullta dhe ligjore.
Bujar Haxhiu: “Jam pronar i Bar Xhino me certifikatë pronësie që e posedoj unë. Fëmijët e mi më erdhën në orën 23:00 dhe më goditën për vdekje se deshën të më marrin pronën.

Ata thanë që duhet ta lirosht se ti je i vjetër tani, je 62 vjeç dhe nuk bën për pronë. Pronën do ta marrim ne, edhe ti do ikësh nga Tirana se në qoftë se ti nuk ikën nga Tirana, do të hash plumbin.

Më goditën, më çuan te Spitali i Traumës. Mora 9 ditë raport, qëndrova 1 ditë e gjysmë në spital. Shkoj te urdhri i mbrojtjes, Martin Deda ju jep urdhër mbrojtje që unë mos të afrohem as te piceria dhe as te “Bar Xhino”. Si dhe ata të mos afrohen te shtëpia ime, që unë jam lart lokalit.

Unë kërkoj që kjo pronë të më jepet mua meqënëse e posedoj unë me të gjitha letrat. Jam pronar i ligjshëm dhe ata nuk kanë asnjë letër. I kam dhënë një hua përdorimi meqënëse unë isha jashtë shtetit.

Objektin e shfrytëzojnë të dy djemtë. Mendoj që është bërë një pagesë e madhe për të dhënë këtë vendim se nuk ka mundësi që pronari mos të shkojë në pronë të vet. Më kanë poshtëruar shumë keq dhe më vjen keq se nuk jam moshë e vogël, jam 62 vjeç dhe nuk mundem unë të merrem me fëmijët e mi që të shkoj të rrihem prapë.

Ata rrinë me forcë dhe unë jam i detyruar mos shkoj atje se kam frikë se edhe më vrasin. Po më vrasin”!

Avokatja e Bujar Haxhiut, znj. Enise Kurteshi thotë se dy urdhrat e mbrojtjes të dhëna nga i njëjti gjyqtar janë në konflikt të hapur interesi.

Avokatja: “E keqja është që një gjyqtar ka bërë dhe gjyqin e urdhrit të mbrojtjes së Bujarit dhe të djemve. Ka konflikt interesi dhe nuk duhet t’i bënte të dy. Ka pengesë ligjore, se ka gjykuar për njërin, s’mund të gjykojë dhe për tjetrin i njëjti gjyqtar.

Në vendimin e gjykatës nuk përmendet fare se çfarë kanë pretenduar djemtë kundër babait, çfarë ka pretenduar babai kundër djemve. Vetëm thuhet që kanë bërë kërkesë për urdhër-mbrojtje, paraqesin rrezikshmëri shoqërore. Dhe këtu e shikoj vendimin me të meta.

Përsëri ka marrë një vendim, kur Bujari është pronar, dhe mbi lokal ka banesën e tij. E ka penguar që të hyjë në banesën e tij. I thotë të largohet 100 metra. Gjykata ka diskutuar edhe për një piceri.

Këtë piceri me dokumente e ka Bujari për dy vjet me kontratë. Por kanë pasur dhe djemtë një kontratë që s’dimë se si është bërë pa noteri.

Dhe këtë kontratë që ka bërë Bujari për djalin, ajo ka mbaruar në 04.09.2018. Edhe sikur të ishte e ligjshme ajo kontratë, në 04.09.2018 ka përfunduar ajo. Pra, Gjykata Bujarin e pengon që të punojë edhe një lokal që e pasur me qira vet si piceri”.

Për të qenë sa më transparent me këtë çështje, gazetarja e emisionit “Stop” shkoi për të takuar edhe gjyqtarin e çështjes, Martin Deda. Por, ky i fundit refuzoi që ta priste dhe të komentonte për vendimet që ka dhënë. /tvklan.al

Loading...