‘Do i mbështesim financiarisht’, zbulohet marrëveshja e Ramës me naftëtarët

Kryeministri Edi Rama foli për media pas takimit me naftëtarët e Ballshit, të cilët ndërprenë dje grevën e gjatë të urisë, duke pranuar të ulen në bisedime.

Pas takimit, kreu i qeverisë tha se është vendosur që qeveria t’i mbështesë naftëtarët financiarisht, por jo me pagën e tyre të punës.
“Patëm një bashkëbisedim të hapur. Më vjen mirë që i krijuan këto kushte, pasi në kushtet e grevës nuk mund të bisedohej.

Janë gjithë ato familje që kalojnë një moment aspak të lehtë.

Faktikisht kemi ndarë kohën, në sensin që çfarë janë çështje që lidhen me marrëdhënien private, janë çështje që nuk i takojnë qeverisë, por çështja e këtyre njerëzve sot është një çështje që na takon ne, që ta adresojmë së bashku me ta, me mirëkuptimin e tyre, pasi rruga e thjeshtë ligjore do të ishte që të drejtoheshin në zyrat e punës për të marrë asistencën.

Në këtë rast bëhet fjalë për një grup njerëzish që kanë një eksperiencë dhe një formim profesional në një fushë që ne nuk kemi absolutisht luksin ta zhbëjmë.

Për këtë arsye ne i kemi propozuar që qeveria të marrë përsipër një mbështetje financiare në kohë për gjithë punëtorë, nuk mund të jetë paga e punës së tyre, sepse faktikisht rafineria është e fikur.

Nuk është çështja jonë paga e prapambetur, ajo është një çështje që ka të bëjë me marrëdhënien e tyre me kompaninë.

Vendimi gjyqësor për të cilin ata flasin lidhet me detyrimet e kompanisë, jo me të qeverisë.

Qeveria nuk merr përsipër të zgjidhë ato çështje, që i zgjidhin kompanitë. Nuk i takon qeverisë të adresojë atë vendimi gjyqi.

Ne nuk jemi dorëzuar lidhur me të ardhmen e kësaj rafinerie, sepse të gjitha analizat tona tregojnë se rafineria nuk është për skrap sot”, tha Rama.

Loading...