Presidenti i SHBA, Donald Trump ka mohuar lajmin se administrata e Shtëpisë së Bardhë ka diskutuar idenë që portreti i tij të gdhendet në malin Rushmore por ka pranuar se kjo i “dukej një ide e mirë”.
Në një artikull të “Nju Jork Tajms”, pretendohet se një punonjës i Shtëpisë së Bardhë kishte kontaktuar me Guvernatoren e Dakotës së Jugut, ku ndodhet mali Rushmore, për të diskutuar idenë.
“Ky është një lajm i rremë. Nuk e kam dhënë kurrë këtë ide, megjithëse, bazuar në aq shumë gjëra që janë arritur gjatë 3 viteve e gjysmë, ndoshta më shumë se në çdo mandat tjetër presidencial, mua më duket një ide e mirë!”, shkroi presidenti në Twitter.
Sipas “Nju Jork Tajms”, që citon një zyrtar të Partisë Republikane, kërkesa nga pjesëtari i stafit të Trump është bërë vitin e kaluar. Kur u pyet nga gazeta, Shtëpia e Bardhë nuk e mohoi ngjarjenn, por u përgjigj se monumenti ishte federal dhe jo shtetëror.
Në vitin 2017, një pjesëtare e kongresit amerikan, Kristi Noem, tha se gjatë një takimi me Trump pasi sapo kishte marrë mandatin, presidenti ia kishte përmendur. “I dhashë dorën dhe i thashë, ‘President, duhet të vini në Dakotën e Jugut, kemi malin Rushmore’. Ndërsa ai mu përgjigj: ‘Nuk e di që ëndrra ime është të kem fytyrën time atje?’. Mendova se po bënte shaka”.
Puna në malin Rushmore, ku ndodhen portretet George Washington, Thomas Jefferson, Theodore Roosevelt dhe Abraham Lincoln, nisi në vitin 1927, por me vdekjen e skulptorit Gutzon Borglum në vitin 1941, nuk përfundoi kurrë.