Kryeministri Edi Rama tha se stuhitë kanë shkaktuar probleme edhe në Shtetet e Bashkuara, duke bërë që mijëra njerëz të mbesin pa energji elektrike.Gjatë një konference në Rinas, kreu i qeverisë tha se rrugët u pastruan në kohë rekord, ndërsa nuk la pa përmendur analistin Andi Bushati, i cili mbeti në aksin rrugor Lezhë-Milot gjatë mbrëmjes së të shtunës.
Rama tha se në Evropë ka pasur edhe viktima nga moti i ftohtë.
Rama: Ka familje që janë pa drita në Shtetet e Bashkuara si rezultat i stuhive të borës. Ne filluam të investojmë për herë të parë qysh nga koha e elektrifikimit. Me linja të dobëta që një erë apo stuhi i këput. Ndoqa të gjitha shtetet në SHBA dhe ishin rreth 3 milionë familjarë pa drita. Sigurisht që me stuhitë e dëborës këto gjëra ndodhin siç nga stuhitë e borës bllokohen rrugët.
Asnjë vend nuk ka shpikur plasmas ku të vihen sipër dhe të ecë Andi Bushati kur kthehet nga skitë. Nuk ka arritur shkenca që ta mbledhë borën në ajër. Këtu ka pasur propozime që të hidhej kripë para se të binte dëbora. Ose këtu janë sytë aq të mprehtë, saqë jo vetëm e shquajnë menjëherë që në Shqipëri përdoren akoma lopata. Pse të përdoren raketa? Lopatat përdoren në çdo vend.
Athina besoj e patë gjendjen që ishte. Bllokim nga të katër anët. Nuk pashë ndonjë analizë apo analist të shprehte për instinkte vrastare te qytetarët apo të shprehej ç’është ky shtet.
Do të kishte ndodhur edhe këtu që larg qoftë humbje jetësh, ndërkohë që në janar ka humbje jetësh në Bashkimin Evropian. Rrugët u zhbllokuan në kohë rekord sepse u punua. Ministrja në mes të stuhisë u fut në borëpastruese që të dëgjohet kur flet, ndërkohë që këtu bëhet nami.