Dritero Agolli/ ‘Merr një laps, merr një letër, merre dhe veten me të mirë, me ujë mbase se brezi juaj s’e njeh rakinë…’

Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931 në Menkulas të Devollit dhe u nda nga jeta më 3 shkurt 2017.

Beqir Skreli: “Dritëro Agolli është nga ata njerëzit shumë të rrallë për të cilët është krijuar shprehja ndërroi jetë”.

Dritero Agolli: “Merr nje laps, merr nje leter, merre dhe veten me te mire, me uje mbase se brezi juaj s’e njeh rakine. Shko ne Helmes, pastaj kalo dhe ne Menkulas. Shkruaji cfare mendon. Kur te kthehesh m’i trego. Me sill edhe menyren si ke shkruar fjalet e mia qe t’i shoh dhe kur une te komentohem nga te gjithe, fillo te mendosh per ate qe kemi folur.”

Ëndërr e prerë
Mos vdis, se pas shirave arën e mbushi bari,
Ka rënë në ullishte mizë e ullirit.
Hardhia duhet spërkatur shpejt me gurkali
Dhe ende s’ka dalë nga plisi kërcelli i misrit …
Ne ëndërronim të bënim një anije,
Kurrkush s’e mendonte me ç’dru do ta ngrinim,
Kishim ndërmend ta ndërtonim me degë hardhie
Dhe vela t’i vinim.
Bodrumet e saj t’i mbushnim me poçe me verë
Dhe të lundronim në ishujt e Havajes;
Ta pinim verën me vajzat e ishujve në Belvedere,
Zezaku të bente fresk me fletën e palmës.
Mos vdis, se kalit i ra në vrapim një patkua
Dhe nisi ta ngrejë nga dhimbja këmbën e parë;
Kërkojmë patkonj e s’na jep njeri hua,
S’e gjejmë as nallbanin e marrë …
Ne ëndërronim të shkonim në hipodrome,
në vende të lumtura ku munden me kuaj,
Tani dhe kali çalon e s’na ha as barin e njomë;
me sy si gota na sheh si të huaj…
Mos vdis, se dielli në oborr e ka shtruar sofrën e madhe
Dhe presim të vijnë vajzat të gjitha,
Të gjitha ato që ti u thoshje “sorkadhe”,
Kur grisnin fustanet në driza.
Mos vdis në dhomën e heshtur i shtrirë
Është turp kaq shpejt të rrish e të vdesësh!
Ne ëndërronim një vdekje më të mirë:
Duke vdekur, fytyrat tona t’i shihnim në pikën e vesës.

Dritëro Agolli
—————————–
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, veç çmimeve të tjera, është vlerësuar edhe me titullin e lartë, “Nderi i Kombit”.
Shkrimtari i njohur shqiptar, Dritëro Agolli, është shpallur “Qytetar Nderi” i Tiranës në vitin 2003. Ceremonia është zhvilluar me rastin e përvjetorit të ngritjes së flamurit në Tiranë dhe çmimi iu dorëzua nga kryebashkiaku Edi Rama.
Dritëro Agolli është fitues i katër çmimeve të Republikës dhe i disa çmimeve vjetore në letërsi. Dritëro Agolli është anëtar i Akademisë së Firences “Muzat” në Itali. Përveç qytetit të Tiranës, ai është “Qytetar Nderi” edhe i qyteteve të Korçës, Gjirokastrës etj.
Nuk numërohen vlerësimet që i janë bërë legjendës së letrave shqipe. Ndër më të qëlluarit është vlerësimi i Fransua Nurisjes, i cili ka thënë se, “Agolli është Kafka, me pak më shumë diell”. Ndërsa Alen Boske shkruan për të se, “Shqipëria na zbulon një autor me përmasa të mëdha… Dhe dinamiti mbulohet me petale. Një autor që meriton famë evropiane”.
Agollit nga censura komuniste i janë ndaluar tre libra. I pari ka qenë “Zhurma e erërave të dikurshme”, në vitet 1960, drama “Mosha e bardhë” në vitet 1980 dhe një seri tregimesh në revistën “Nëntori”. Dy të fundit janë ndaluar gjatë kohës që ishte kryetar i Lidhjes. Ai e botoi librin “Zhurma e erërave të dikurshme”, në vitin 1964, por vetëm një vit më pas ky libër u hoq nga qarkullimi dhe Agolli u kritikua, pasi me këtë libër e paraqiste me pesimizëm realitetin komunist.
Në një intervistë të dhënë për median shqiptare, Agolli ka thënë që nga librat që ai nuk do t’i harrojë kurrë janë “Zhurma e erërave të dikurshme”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” dhe librat me poezi “Pelegrini i vonuar”, “Në mesditë”, “Udhëtoj i menduar”, etj.

Loading...