Dronë turq, universitet dhe ndërtimi i një fabrike, ja marrëveshjet që arriti Rama në Stamboll

Kryeministri Edi Rama nga Turqia dha lajmin e disa investimeve turke në vendin tonë. Rama tha do bëhen investim në dronët, çelja e Universitetit Teknik të Stambollit në Shqipëri dhe ndërtimi këtu i një fabrike me 7 lloje vaksinash.

Nga takimi me presidentin turk, Erdogan, Rama tregoi se është diskutuar jo vetëm për dronë ushtarakë, por për kontrollin e territorit të vendit me dronë superinteligjentë, për prodhimin e të dhënave në kohë reale mbi rrugët, bregdetin.
Ndërkohë që ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu foli për fabrikën e vaksinave, ndërsa ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj mori mbështetje nga homologu turk për vazhdimin e punëve, ku Turqia ndërton banesa në disa zona të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019. Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, mori garanci për çeljen në Shqipëri të filialit të Universitetit Teknik të Stambollit, ndërsa është në plan edhe fakulteti i ardhshëm i mjekësisë dhe infermierisë.

Ndërkohë që mediat turke shkruajnë se Ministri i Kulturës dhe Turizmit Mehmet Nuri Ersoy nënshkroi “Protokollin e Bashkëpunimit mbi Mbrojtjen e Trashëgimisë së Përbashkët Historike dhe Kulturore”, i cili u përgatit për të mbrojtur trashëgiminë e përbashkët në Shqipëri dhe për të forcuar lidhjet historike dhe kulturore mes Turqisë dhe Shqipërisë. Ndërsa Rama e cilësoi në postimin e tij në rrjetet sociale si program i restaurimeve të mëtejshme në Berat e Gjirokastër dhe investimet në hotelerinë me 5 yje në bregdet.

Loading...