Duhanpirja, 270 milion euro çdo vit kosto në ekonomi

Shqipëria ka një sistem fiskal kundër duhanpirjes mjaft efikas. Këtë ka arritur si konkluzion studimi i realizuar nga “Partnerë në Zgjidhje dhe Zhvillim (DSA)”, e cila organizoi një tryezë të rrumbullakët për të diskutuar gjetjet e studimit:“Përmirësimi i sistemit të taksimit të duhanit në Shqipëri”, në kuadër të projektit ndërkombëtar “Improving the system of tobacco taxation in Albania – How to create an optimal policy for society?”, financuar nga Universiteti i Çikagos në Ilinois.

Në tryezën e rrumbullakët të zhvilluar në Tiranë, morën pjesë përfaqësues të lartë nga ISHP (Instituti i Shëndetit Publik), Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Doganave, OBSH, media, shoqëria civile etj. Fjalimi i hapjes u mbajt nga Nazira Artykova, përfaqësuese e WHO në Shqipëri.

Ekipi  i studiuesve të DSA-së prezantoi projektin dhe rezultatet e studimit, sipas së cilit rritja e çmimeve të shitjes me pakicë prej 54% si rezultat i rritjes së akcizave do të rezultonte më tej në një ulje të shitjeve totale të duhanit me 30.6% në planin afatgjatë, dhe me rritjen e njëkohshme të të ardhurave nga akciza me 33.7% ose 40 milionë euro. Të ardhurat nga tatimi total do të rriteshin me 43.4 milionë euro, duke përfshirë edhe efektin pozitiv në TVSH.

Rezultatet e studimit u mirëpritën dhe në fund, u zhvillua një diskutim interaktiv mes pjesëmarrësve.

Rezultatet e studimit:

Niveli i konsumit të duhanit në Shqipëri vazhdon të jetë më i larti krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor(OBSH, 2016). Sipas të dhënave të Atlasit të Duhanit, çdo vit më shumë se 4,100 njerëz vdesin nga sëmundjet e shkaktuara nga duhani. Gjithashtu, më shumë se 1000 fëmijë (10-14 vjeç) dhe 398,000 të rritur (+15 vjeç) vazhdojnë të konsumojnë duhan çdo ditë, duke i kushtuar ekonomisë shqiptare një shumë prej 270 milion euro çdo vit. Në përgjigje të niveleve të larta të përhapjes së fenomenit të duhanpirjes, Qeveria e Shqipërisë (QSH) ka miratuar një komplet politikash për kontrollin e duhanit. Vlen për tu përmendur nënshkrimi i Konventës Kuadër së OBSH-së për Kontrollin e Duhanit (OBSH FCTC) në vitin 2004, e cila më pas u ratifikua në vitin 2006. Komisioni Evropian në raportin e vitit 2018 për Shqipërinë gjithashtu sugjeron rregullime të mëtejshme në fushën e kontrollit të duhanit.

Politikat fiskale mbi produktet e duhanit konsiderohen si më efikaset jo vetëm për reduktimin e nivelit të konsumit të duhanit, por edhe për ndikimin e tyre pozitiv tek të ardhurat buxhetore, duke pasur parasysh vëllimet e mëdha të shitjeve, kërkesën relativisht joelastike, mungesën e zëvendësuesve dhe lehtësirat relative të administrimit dhe zbatimit. Gjithashtu për qeverinë, taksa mbi produktet e duhanit konsiderohet një mjet efikas për kostot e ulëta të administrimit falë numrit të vogël të prodhuesve dhe sasive të mëdha të shitura. Një numër studimesh empirike në vende të zhvilluara dhe në zhvillim konfirmojnë ndikimin pozitiv që kanë taksat në reduktimin e nivelit të konsumit të duhanit.

Studimi i kryer nga qendra Partnerë në Zgjidhje dhe Zhvillim (DSA)  tregon se rritja e akcizës mbi cigaret dhe produktet e duhanit nga njëra anë mund të zvogëlojë konsumin e këtyre produkteve dhe, nga ana tjetër, bën të mundur rritjen e të ardhurave buxhetore.

Konsumi i Duhanit në Shqipëri

Sipas të dhënave të OBSH, numri i duhanpirësve të duhanit në Shqipëri është 683,440, ku dominojnë konsumatorët burra. Pjesa e duhanpirësve si përqindje e popullsisë së rritur është 29.2%, ku mesatarisht, që nga viti 2012, konsumohen rreth 18.7 cigare në ditë/duhanpirës. Kjo shifër është më e ulët krahasuar me vitin 2005, kur numri mesatar i cigareve të konsumuara në ditë për duhanpirës ishte 20.7 cigare. Ndërkohë, konsumi për frymë i cigareve është 1116/vit.

Përhapja e konsumit së duhanit sipas gjinisë është 51.2% për burrat dhe 7.6% për femrat dhe karakterizohet nga një trend shqetësues i qëndrueshëm (jo rënës) gjatë dekadës së fundit.

Baza ligjore për kontrollin e duhanit po ndryshon vazhdimisht që nga viti 2006, ndërkohë që pas vitit 2014 vihet re një trend rritës për sa i përket ndëshkimeve. I instrumentet fiskale janë mënyra më e mirë për të ulur konsumin e duhanit në Shqipëri.

Struktura tatimore e produkteve të duhanit

Shqipëria aplikon barrën më të ulët të taksave mbi duhanin po ta krahasojmë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Barra totale e taksave mbi cigaret përbën rreth 66% të çmimit të shitjes me pakicë për një paketë prej 20 cigaresh të markës më të shitur.

Akciza mbi cigaret është  48% e çmimit të shitjes me pakicë, dukshëm më e ulët krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe shumë më e ulët se pika e referimit e dhënë nga OBSH prej 70% të çmimit të shitjes me pakicë. Niveli aktual i akcizës për 1000 cigare është 44 euro. Ky nivel gjithashtu është shumë më poshtë se minimumi i akcizës i kërkuar nga rregullorja e BE-së (i cili është 90 euro për 1000 cigare). Qeveria shqiptare megjithatë ka premtuar të rrisë akcizën në 48.9 euro për 1000 cigare deri në vitin 2021, e cila përfaqëson një rritje prej 11%.

Kontributi i të ardhurave nga taksat mbi duhanin tek buxheti i shtetit është rritur lehtësisht gjatë viteve të fundit duke shënuar një vlerë prej 5.1% të totalit të të ardhurave buxhetore. Pjesa më e madhe e të ardhurave vijnë pikërisht nga akciza dhe shënojnë vlerën prej 3.76% për vitin 2017.

Pjesa e totalit të akcizës ndaj totalit të PBB-së në Shqipëri është më e lartë se vendet e OECD-së që kanë një mesatare prej më pak se 1%. Pjesa e të ardhurave në raport me PBB-në është 1.4% për vitin 2017. Gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur rritje të konsiderueshme të barrës së taksave mbi cigaret. Me rritjen e akcizës, mundësia e rritjes së të ardhurave nga njëra anë dhe ulja e sasisë së konsumuar të cigareve nga ana tjetër, është e konsiderueshme.

Gjetjet e bazuara në fakte

Rritja e çmimeve të shitjes me pakicë prej 54% si rezultat i rritjes së akcizave do të rezultonte më tej në një ulje të shitjeve totale me 30.6% në planin afatgjatë, dhe me rritjen e njëkohshme të të ardhurave nga akciza me 33.7% ose 40 milionë euro. Të ardhurat nga tatimi total do të rriteshin me 43.4 milionë euro, duke përfshirë edhe efektin pozitiv në TVSH.

Bazuar në një vlerësim empirik të kryer nga qendra Partnerë në Zgjidhje dhe Zhvillim mbi konsumin, të ardhurat, çmimet e shitjes me pakicë, politikat publike dhe variabla të tjerë kontrolli në fushën e kuadrit rregullator të konsumit të duhanit për periudhën 2006-2017, u konfirmua se elasticiteti i çmimeve të duhanit është -0.56 dhe elasticiteti i të ardhurave është 0.24.

Duke supozuar që niveli i akcizës prej 90 Euro për 1000 cigare, siç kërkohet nga rregulloret e BE-së dhe mbajtja e nivelit të çmimeve të cigareve të importuara dhe fitimit shtesë të aktorëve të zinxhirit të shpërndarjes konstant, çmimi i shitjes me pakicë për paketë pritet të rritet me 54.7%. Më konkretisht, rezultatet e vlerësuara sugjerojnë se me një elasticitet prej -0,56, një rritje në çmimin e cigareve prej 54,7%, sasia e kërkuar e cigareve do të ulet me 30,6%.

Për sa i përket të ardhurave buxhetore nga akciza, duke konsideruar vitin 2017 si vit referues dhe duke supozuar një performancë të ngjashme fiskale, të ardhurat buxhetore nga akciza do të rriten me 40 milionë euro ose 33.7%. Kjo do të thotë se të ardhurat nga tatimi total do të rriten me 43.4 milionë euro (ose një rritje prej 26.4%), duke përfshirë edhe efektin pozitiv në TVSH (8.7%)./atsh

Loading...