Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar 41.7 ton banane të prishura të ardhura nga Kosta Rika.
Pas bllokimit të sasisë së bananeve të prishura, AKU shprehet se do të kryhen të gjitha procedurat për ta kthyer mallin në vendin e origjinës. Ndërkohë ky institucion shprehet se do të jetë gjithnjë në krah të qytetarëve, ndërsa fton këta të fundit të denoncojnë çdo rast që cenon sigurinë e tyre ushqimore.
“Në kuadër të forcimit të masave për Sigurinë Ushqimore, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka në fokus të veçantë kontrollin në Pikat Doganore në të gjithë vendin.
Konkretisht, trupa inspektuese e DRAKU, Durrës gjatë kontrollit të ushtruar në PIK ka konstatuar dhe bllokuar një ngarkesë prej 41.7 ton banane të ardhur nga Costa Rica për shkak se produkti rezultoi me probleme për konsum njerëzor – produkti i prishur.
Menjëherë nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u bë bllokimi i ngarkesës me sasi 41.7 ton duke u bazuar legjislacionit në fuqi, gjithashtu do të ndjek procedurat doganore për kthimin në origjinë.
AKU thekson se do të jetë gjithmonë në mbështetje të konsumatorit me qëllim garantimin e Sigurisë Ushqimore. Gjithashtu inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në info@aku.gov.al si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”. Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët”, thuhet në njoftim.
(balkanWeb)