Moti i keq ka përfshirë pjesën më të madhe të vendit gjatë ditës së sotme. Situatë alarmante duket në qytetin bregdetar të Durrësit ku disa prej rrugëve kryesore janë përmbytur për shkak të reshjeve intensive.
Shkak për përmbytjet është bërë rrjeti i kanalizimeve që nuk ka arritur të përballojë sasinë e madhe të reshjeve duke rritur nivelin e ujit në rrugë, gjë që ka shkaktuar probleme në lëvizjen e këmbësorëve dhe qarkullimin e automjeteve.
Edhe trafiku është rënduar pasi automjetet lëvizin shumë ngadalë nga sasia e madhe e ujit që vërshon dhe i pengon drejtuesve pamjen e qartë të rrugës.
Situata më problematike paraqitet pranë stacionit të trenit, pranë stadiumit Niko Dovana, si dhe në zonat periferike dhe rrugët që lidhin këto zona me pjesën qendrore të qytetit.