Dy herë më shumë gra kanë kryer gjatë muajit tetor të këtij viti ekzaminimin e gjirit falë mamografisë falas në poliklinikat dhe spitalet e vendit, në krahasim me tetorin e 2017.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha sot se “falë zgjerimit të shërbimit në territor, por edhe fushatës së ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit këtë vit ja kemi dalë që dy herë më shumë gra të bëjnë mamografinë falas në poliklinikat dhe spitalet tona”.
Sipas saj, në tetor të vitit 2017 janë bërë 2833 mamografi, ndërsa në tetor 2018 5178 mamografi.
“Gjatë periudhës janar-tetor 2017 janë kryer 8645 mamografi, ndërsa në janar-tetor 2018 13 258 të tilla”, tha Manastirliu.
Gjatë tetorit, që është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, shërbimi i mamografisë ishte falas në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 3 në Tiranë, në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, në QSUT si dhe në 9 spitale rajonale ku ofrohet ky shërbim.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shpalli për muajin tetor edhe kalendarin e mamografëve të lëvizshëm, që ishin përgjatë muajit tetor në Skrapar, Fier, Ersekë, Sarandë, Lezhë, Fier, Burrel, Bajram Curri, Fierzë dhe Bulqizë.
Vetëm nëpërmjet mamografëve të lëvizshëm, kryhet ekzaminimi i gjirit falas për rreth 5500 gra në vit.
Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë te gratë në Shqipëri dhe rastet e reja të raportuara vijojnë të rriten çdo vit. Vetëm gjatë 9-muajve të këtij viti, janë shënuar 513 raste të reja me kancer gjiri.ATSH