Aktorja Rajmonda Bulku me admirim e respekt të veçantë, flet për artin dhe vlerat e një shoqërie që dalin nga kultura dhe edukata artistike. Herë-herë i vijëzohet një buzëqeshje e lehtë nga e cila prehet eleganca e bukurisë solemne.
Aktorja jonë me sy të qeshur, Raimonda Bulku, me një pamje të ëndshme poetike e shpirt të kulluar, erdhi sikur e zgjedhura e kohës sonë, zbatuese e një profesioni të përkryer prej një aktoreje të përsosur, në sytë e së cilës shkëlqen një dehje e trazuar e një loje brilante me dëshminë e kuptimit se arti është një bërthamë e veçuar nga e cila lind pjesa më e rëndësishme dhe më e qëndrueshme që i përbën pjesët kryesore nga e cila zhvillohet më tej shoqëria jonë gjithmonë me elemente të identitetit kombëtar. Angazhimi i saj i hershëm në aktivitetet e kulturës sonë vepruese, te kjo artiste natyrshëm shpërtheu dhuntia dhe gjakimi për t’u futur në botën e artit. Ajo duke e vënë në lëvizje tërë potencialin e vet për të arritur aty ku kinematografisë sonë i dha impulse të reja që e radhisin në shkallën e një avangardizmi me një bagazh vlerash të pakontestueshme për punën e shkëlqyer në fushën e aktrimit dhe kontributin e dhënë e të veçuar në kinematografinë shqiptare, e cila me suksese ia doli që të bëjë edhe një shkallë epërsie në fushën e aktrimit profesional, shkruan piktori e poeti Remzi Limani.
Raimonda, qëmoti është emërzuar dhe është bërë emër kuptimi me një theksim të posaçëm në fushën e filmit, duke u shndërruar në një ikonë emblematike me të gjitha tiparet, vetitë dhe tërësinë e veçorive dhe cilësive që e dallojnë individualitetin e saj. Ajo ka një evolucion të gjerë për mënyrën e lojës artistike në katrorin magjik të skenave filmike, të cilat i fitoi nga përvoja shumëvjeçare e jetës aktoreske që lidhen me ndjenjat e subjektit dhe respektin e saj ndaj artit dhe vlerave estetike që i posedon dhe i vë në funksion të së bukurës, duke ia dhënë shkëlqimin e duhur filmit artistik shqiptar të përmasave universale. Atëherë, kur rastësisht gjendesh në praninë e saj, ke përshtypjet se ajo nuk frymon zakonshëm, sepse edhe ashtu njëmend frymon ndryshe – prania e saj bie aromë e frymë arti. Me admirim e respekt të vaçantë flet për artin dhe vlerat e një shoqërie që dalin nga kultura dhe edukata artistike. Herë-herë i vijëzohet një buzëqeshje e lehtë nga e cila prehet eleganca e një bukurie solemne…Prania e saj në skenën e filmit tonë, me të gjitha imazhet e regjistruara në shiritin celuloid, flet se ajo tashmë është mishëruar me profesionin e aktores, duke u vargëzuar në vargun e perlave që shkëlqen dhe gjeneron një forcë të re në begatinë e gjerdanit të madh të kulturës sonë kombëtare, në veçanti të kinematografisë realiste shqiptare. Në ketë kontekst, kjo aktore e preferuar edhe nga shumë regjisorë të kinematografisë sonë, por shumë e dashur edhe e nderuar nga publiku ynë i gjerë artdashës – arriti të vishej me petkun dhe fizionominë artistike kombëtare, aq të lakmueshëm për shumë artistë, kolegë të këtij profesioni që me një bukuri të rrallë stolisin individualitetin e saj të lindur në fushën e artit.
Raimonda Bulku (1958) u lind në Tiranë. Në Tiranë, në Institutin e Lartë të Arteve, pëfundoi studimet në Degën e Dramës. Veprimtarinë e saj në kinematografi e filloi që nga bangat shkollore – me një interpretim të suksesshëm në filmin “Dimri i fundi” (R. I. Muça, K. Mitro, 1976), duke u nderuar me një medalje në Festivalin e Dytë të Filmit Shqiptar (1976). Ky film i hapi karrierë të sigurt në filmin shqiptar, duke u bërë një aktore mjaft e njohur për spektatorin.
Deri në vitin 1994, ajo interpretoi rreth 18 role – të shumtën role kryesore – për çka edhe u nderua me disa çmime në Festivalin e Filmit Shqiptar. Ndër rolet e saja më të njohura në kinematografinë tonë, janë: “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Militanti dhe nata e parë e lirisë” (1984) “Asgjë nuk harrohet” (1985), “Bardhësi dhe dy herë mat” (1986), “Këmishët me dyllë” (1987), “Hetimi vazhdon dhe shkëlqen i përkohshëm” (1988), “Edhe kështu, edhe ashtu”’ (1989) dhe “Shpella e piratëvë” (1990) etj.