E dua ndienjën që zgjohet brenda meje
Kur jam me ty.
Unë që jam vajza e urtë
e një njeriu të thjeshtë
Me norma e virtyte
Humbas vetëdijen në krahët e tu
E bëhem shqiponja që rend qiellit të lirisë.
E çfarë është qielli ?!
Hapësira jonë e pafund e puthjeve
Boshti ku vrasim dashuri të humbura
E nisim jetën.
Kur të dua,
ndiej se bota herë-here
më zbukurohet e më zymtohet,
Nga prania jote
Jetoj ende .
Një djall i zi
Si vdekje kishte hyrë në trupin tim
e kafshonte përditë e më i uritur
dashuritë e lumturitë e mia.
Pak nga pak jepja edhe diçka më tepër
për ta ngopur
tek shihja sesi më pushtonte
përditë e më tepër se
vuante nga frika e babëzia .
Tashmë jam femra që ti vetë zgjove
Nuk ndiej më dhimbje.
Oh…
Bëhem trime për pak lumturi
Nuk kam më qiej vetmie.
Më pak trishtim
e shumë liri
Për mua, për ty
ndienja ime…
Anila Toto