E ndoqën pasi hyri në kufi,morën 5 makina me qira/ Detaje të frikshme nga vr.asja e Hekuran Billës

Prokuroria ka në dorë prova të pakontestueshme që implikojnë drejtpërdrejt në vrasjen e 40-vjeçarit Hekuran Billa, Viktor Markun, Sebastiano Malin dhe të afërm të tjerë të tyre.

Në vetëm 8 ditë, u bë e mundur dokumentimi i plotë i ngjarjes, nga ana e Policisë së Tiranës.

Në këtë hark kohor janë sekuestruar kamera sigurie në Tiranë dhe Durrës. Vetëm në kryeqytet është bërë këqyrja e 80 të tillave, në një perimetër nga Komuna e Parisit, tek Sheshi Shqiponja, Unaza e Madhe, Kombinat dhe Pezë. Në këto pamje të siguruara, policia ka identifikuar me radhë nga autori tek bashkëpunëtorët, që kanë qenë të paktën 5, të gjithë rreth i ngushtë i familjes Marku.

Ndërsa në vijim është ndërtuar edhe itinerari që kanë ndjekur pas atentatit, pritësit pas djegies së makinës në Pezë të Vogël, si dhe rrugën e ndjekur më pas në kthim. Ndërsa 15 të tjera janë sekuestruar në qytetin bregdetar të Durrësit, konkretisht në afërsi të portit.

Në to është mundur të identifikohen lëvizjet që ka bërë Hekuran Billa, ditën e 11 Qershorit, pasi ishte atje, sikurse kemi raportuar më herët, për të zhdoganuar automjetin e parë të importuar nga shteti belg.

Nga ana tjetër, siç thonë burime nga Prokuroria, janë sekuestruar 5 automjete që janë përdorur nga autorët e përfshirë në ngjarje. Rezulton që ato të jenë automjete të marra me qira, një në Tiranë, dy në Durrës dhe 2 në Shkodër.

Billa është ruajtur që në momentin e parë që ka hyrë në territorin shqiptar, pikërisht me 5 Qershor 2020. Ditën e ngjarjes, bashkëpunëtorë të tjerë, kanë bërë ruajtjen e tij në Durrës, po me automjete të marra me qira. Po me qira është marrë edhe automjeti X6 që ka përdorur 22-vjeçari Sebastiano Mali, në rolin e përcaktuar për të në zonën e Komunës së Parisit. Tjetër provë janë qelizat telefonike.

Nga ana tjetër, policia vijon kontrollet e saj në Shkodër, për arrestimin e Viktor Markut, për të cilin ka bindje të forta se fshihet pikërisht atje. Mbrëmjen e 11 Qershorit, nga një atentat me armë zjarri, tip Uzi, mbeti i vrarë brenda automjetit të tij me 17 plumba, 40-vjeçari Hekuran Billa.

Pista ku po hetonte dhe që duket se tashmë e ka të vërtetuar është ajo e hakmarrjes. Kjo për shkak se Billa, në vitin 2006 hyri brenda në një klubi në shtetin anglez dhe qëlloi me breshëri ndaj 3 bashkëkombësve të tij, ku për pasojë mbeti i plagosur rëndë dhe vdiq dy ditë më vonë në spital, atëkohë 24 vjeç, Prel Marku, vëllai i autorit kryesor të dyshuar, Viktor Marku, citon klan.

Për këtë vepër, gjykata britanike e dënoi atë me burgim të përjetshëm. Pas kërkesës për ekstradim në vendin tonë, ai vuajti dënimin në burgun e Fushë Krujës, deri në Shkurt 2019, kur u lirua me kusht. Me të fituar lirinë, Billa vazhdoi lëvizjet me jashtë, në vende si Italia, Greqia, Danimarka, Holanda e Belgjika, ku ka dyshime të forta se merrej me aktivitet kriminal në fushën e narkotikëve.

Policia jonë, në një letërporosi dërguar Interpol-it dhe autoriteteve britanike, kërkon të dijë se si ka vijuar historia pas vrasjes së kryer nga Billa në Angli, si dhe rrethanat që çuan në ekstradimin e tij./klan

Loading...