Uji është jeta për tokësorët. Ndaj në eksplorimin e kozmosit gjithnjë është shtruar pyetja: A ka një planet të ngjashëm si Toka?
Shkencëtarët kanë arritur të zbulojnë sipas tyre një planet të ri, i cili ndodhet 100 vite dritë larg nesh.
Sipas shkencëtarëve kanadezë, ky planet është i mbuluar tërësisht me ujë dhe rrotullohet rreth dy yjeve të vegjël.
I quajtur TOI-1452b, ai u zbulua nga një grup kërkimor ndërkombëtar i udhëhequr nga Charles Cadieux, një student doktorature në Universitetin Kanadez të Montrealit. Rezultati është publikuar në The Astronomical Journal.
Planeti u identifikua për herë të parë falë teleskopit hapësinor Tess, nga NASA, i projektuar pikërisht për të skanuar galaktikën tonë në kërkim të planetëve jashtë Sistemit Diellor.
Pasi u identifikua, planeti i mbuluar me ujë u analizua në detaje nga një instrument i ri i fuqishëm i instaluar në Observatorin Mont-Megantic në Kanada, i cili bëri të mundur zbulimin e karakteristikave të tij interesante.
Kështu ishte e mundur të konstatohej se TOI-1452b orbiton rreth një sistemi yjesh binar më të vegjël se Dielli dhe që janë vetëm 97 njësi astronomike larg njëri-tjetrit, pak më shumë se dyfishi i distancës midis Diellit dhe Plutonit. Planeti, nga ana tjetër, është 70% më i madh se Toka dhe do të mbulohej tërësisht nga një oqean i madh me ujë të lëngshëm.
Të dhënat tregojnë praninë e një bërthame të fortë, ndërsa uji do të përfaqësonte deri në 20% të masës së tij (në Tokë është vetëm 1%). Detaje të reja të këtij planeti të ri dhe interesant do të zbulohen së shpejti falë vëzhgimeve me teleskopin hapësinor James Webb plotësisht funksional për disa muaj.