Kryeministri Edi Rama prezantoi sot udhëheqësit e listave të PS në qarqet e vendit ndërsa sonte është afati i fundit për të dorëzuar në KZQ listën e kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit.
Ajo që bie në sy është strategjia e ndjekur për të vënë në krye emra të rinj dhe pjesën më të madhe gra.
Listën e PS në Vlorë e kryeson Pranvera Resulaj, ish-drejtoresha e Tatimeve në kryeqytet. Kryeministri vlerësoi figurën e saj, ndërkohë Resulaj u shpreh se pozicioni në listë ishte surprizë për të, ndërsa e cilëson si vlerësim dhe përgjegjshmëri të madhe për të.
“Pozicioni në listë ishte surprizë. Për pjesën tjetër isha në dijeni. Sigurisht që është vlerësim shumë i madh për mua, kjo është e kuptueshme edhe përgjegjësi shumë e madhe shpresoj ta justifikoj”, theksoi ajo.
E pyetur nëse ishte ajo propozim i kryeministrit, Resulaj nënvizon se futja e saj në listën e socialistëve ka ardhur nga struktura e partisë. “Këto janë të strukturave për hir të së vërtetës edhe pse mund të duken standarde është e vërtetë që është një proces që zgjat shumë në kohë dhe fillon nga strukturat. Kështu që nuk mendoj se nuk është propozim nga strukturat e partisë”, u shpreh Resulaj.