Një 51-vjeçar me inicialet B. K., i cili jeton në Britaninë e Madhe është shpallur në kërkim policor nga komisariati numër 1 pas denoncimit të një 19-vjeçareje, që pretendon se u abuzua seksualisht prej tij dhe u mbajt për dy vite rresht nën shantazhin se video do shpërndahej dhe se ai do t’u tregonte prindërve që vajzën nuk e kishin të virgjër.
Vajza dyshohet se e ka njohur burrin kur ishte 17 vjeç në qytetin ku ajo ndiqte gjimnazin në Kukës dhe pas njohjes përmes rrjeteve sociale ai i propozoi se do ta merrte për nuse për kunatin, edhe ai emigrant në Angli.
E reja i doli në takim burrit për t’u takuar përballë, por ai pasi e nxori jashtë qytetit me automjetin e tij e abuzoi seksualisht dhe më pas e mbajti nën kërcënim dhe kanosje se do t’u tregonte prindërve të saj. Çështja u mbajt e fshehtë deri ditën kur nëna e 19-vjeçares kërkoi ndërhyrjen e forcave të policisë, pasi e bija kishte fikur numrin e telefonit dhe se familja nuk kishin asnjë informacion për të.
Zbulimi…
Në tentativë për t’u lidhur me të bijën, në fund të muajit shtator prindërit udhëtuan nga Kukësi drejt Tiranës dhe aty u informuan që e reja ishte larguar nga konvikti ku qëndronte. Por nga marrja në pyetje e sportelistit, ai ka treguar listën e emrave si dhe ka dhënë detaje “vajza juaj u largua dy ditë më parë, në tre të natës erdhi një burrë dhe e kërkoi. Vajza pohoi- është babai im. Po ikim në spital”, sipas këqyrjes së kryer në bllokun e shënimeve të sportelistit vërehet sipas burimeve se arsyeja e daljes nga punonjësi i konviktit është nënvizuar “për spital – erdhi i ati”. Sportelisti shpjegon më tej sipas burimeve “ky burrë rreth të 50-ve më tha se dëshiron të takojë vajzën e tij. Nuk e lejova sepse nuk lejohet. Më pas studentja zbriti poshtë dhe pasi pa hezitimin tim më tha se ai burrë ishte i ati”.
Sipas burimeve policore të Gazetës Si, agjentët janë vënë në kërkim të së resë dhe e kanë gjetur në Tiranë. Ajo ka vendosur të flasë dhe të hapë letrat.
Ajo pretendon se gjithë lidhja e saj me burrin ka nisur kur ajo ishte nën moshë se dhe vazhdimisht kishte tentuar të njoftonte policinë, por nuk lejohej nga 51-vjeçari që sipas këqyrjeve në sistemin TIMS rezulton të ketë hyrë e të ketë dalë nga Shqipëria gjatë shtatorit. I dyshuar për marrëdhënie seksuale me të mitura, ndaj tij rëndon sipas burimeve policore edhe vepra e kanosjes, pasi në telefonin e të resë janë gjetur një sërë mesazhesh, jo vetëm të tij, por edhe të gruas e të vajzës të cilët së bashku e kërcënojnë ”nëse shkon në polici, do të shuajmë”.
Si nisi çështja? Vajza tregon…
“Nipi i gruas së B.K erdhi të më kërkonte në shtëpinë time në Kukës. Në njëfarë mënyre po kërkonte leje që ne të dilnim bashkë. Por në rrjetet sociale hyri një person që filloi të më flasë kundër tij dhe të thoshte fjalë të këqija. Kishte moshën e babait tim dhe më tregoi se ai djali nuk e kishte seriozisht me mua dhe se kishte një marrëdhënie tjetër. Një ditë më kërkoi ta takoja dhe dola pa vënë në dijeni prindërit. Kur mbërrita në pikën e takimit ishte hera e parë që e pashë LIVE, gjatë bisedës kërkoi të kryenim marrëdhënie”, dëshmon vajza.
19-vjeçarja shpjegon në qëndrimin e saj përpara policisë se abuzimi seksual nga 51-vjeçari ndodhi në takimin e dytë, ku ai i kishte thënë se do t’i tregonte sekrete, për djalin që po i kërkonte dorën në shtëpi dhe që ai e ka vëllain e gruas.
Vajza thotë: Mbaj mend që gjatë gjithë kohës qaja duke ju lutur dhe kur ai mbaroi qëllimin e tij u largova në shtëpi duke qarë. Përpara se të kryente marrëdhënie me mua më pyeste “si ka mundësi që një vajzë 17-vjeçare të jetë ende e virgjër.
Në vijim më shkruante në telefon, nuk ju përgjigja ndërsa nuk ju thashë prindërve se çfarë kishte ndodhur dhe nuk e dhashë veten në shtëpi.
Vajza shton se nga Anglia 51-vjeçari ndërhynte në të gjitha llogaritë e saj, përfshi edhe WhatsApp duke e kujtuar se nëse nuk i qëndronte besnike do ju thoshte prindërve të saj.
Kjo gjendje sipas 19-vjeçares ka zgjatur dy vjet dhe siç ajo e përshkruan “nën shantazh dhe kërcënime ajo bindej dhe dilte në takime”.
“Sa herë donte ai, natën ditën, ai thoshte orën dhe vendin dhe unë dilja. Më kujtonte se kishte video të miat, se do ua tregonte prindërve që të mësonin se vajza e tyre nuk ishte e virgjër dhe se më pas do i shpërndante ngado në rrjetet sociale”.
Në dëshminë që policia administroi dhe që burimet e citojnë për gazetën Si, situata është rënduar më tej kur 19-vjeçarja i ka thënë: do njoftoj policinë.
Gruaja e tij filloi të më kërcënojë në telefon, këtë gjë e bëri dhe vajza e tij. Gruas dhe vajzës së tij ju thashë që nuk e njoh personin në fjalë, por ajo më kujtoi se donte të më merrte nuse për të vëllain. Kisha frikë t’i thosha çfarë kishte ndodhur, dhe frika më buronte nga B. K.
Kur agjenti i policisë e pyet të renë se përse nuk shkoi në polici ajo përgjigjet:
Ai më tha “kam miq, njoh shumë dhe nuk më bën dot njeri gjë këtu”.
Janë marrë në pyetje edhe prindërit e të resë, të cilët konfirmojnë se nuk kishin asnjë dijeni dhe se B. K e njihnin si banor të zonës.
Policia thotë se nga verifikimet në sistemin TIMS rezulton se B. K ka hyrë në Shqipëri në datën 6 shtator përmes pikës kufitare të Morinës dhe më pas është larguar përmes aeroportit të Rinasit. Policia deklaron për gazetën Si se 51-vjeçari u shpall në kërkim për marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur dhe kanosje./Gazeta Si