Ditën e premte shtetasi Lutfi Çekiri, u paraqit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për të marrë ndihmë mjekësore.
Aty e kishin adresuar mjekët e Spitalit të Traumës, të cilët pasi i bënë një serum dhe e mbajtën disa orë në urgjencë mbrëmjen e së enjtes, e drejtuan në QSUT.
53-vjeçari nga Ndroqi me gjithë bashkëshorten, në kushte të vështira shëndetësore provoi çdo derë të QSUT-së, por nuk mori shërbim.
Ai vuante nga diabeti dhe stomaku por mjekët me të cilët mundi të fliste i thanë se duhet të shkonte në fshat te mjeku i lagjes.
Sorollatja nga Trauma te QSUT dhe indiferenca e mjekëve rezultoi vdekjeprurëse për 53-vjeçarin.
Bashkëshortja tha për Ora News se Lutfi Çekiri ndërroi jetë mbrëmjen e së premtes pasi nuk iu ofrua ndihmë.
Angazhimi i personelit mjekësor në përballimin e pandemisë ka lënë në hije dhe harresë shërbimet e tjera shëndetësore të cilat janë jetike për mijëra pacientë.
Edhe pse ky shqetësim është denoncuar disa herë nga media e qytetarë, Ministria e Shëndetësisë vijon të mos ndërmarrë asnjë hap për zgjidhjen e kësaj situate duke sjellë pasoja të rënda deri në fatalitet për pacientët.