Kryeministri Edi Rama ka dhënë sot një intervistë në televizionin italian Rai Uno për emisionin ‘Porta a Porta’ me gazetarin Bruno Vespa. Sic njofton edhe vetë kryeministri Rama, intervista do të transmetohet në orën 23:05 në televizionin italian por edhe në ERTV.
Në foton e publikuar në profilin e tij zyrtar, Rama duket mjaft sportiv, veshur me një kostum dhe atlete, gjë për të cilën ai komentohet jo pak herë në mediat vendase por edhe në ato të huaja.
Mësohet se ai do të jetë përballë një paneli të ftuarish ku do të flasë për situatën politike në vend.
Në panelin e të ftuarve në emision është edhe drejtori sportiv i skuadrës së Lazios, Igli Tare, i cili ka deklaruar se çfarë po ndodh sot në Shqipëri është mjaft e rëndë për imazhin e popullit.
Rama është shprehur se ajo që shihet sot nuk është një revoltë e popullit dhe ajo që duket në imazhet e protestës janë vetëm një perimetër i vogël i Tiranës.
Rama u nis për në Itali direkt pas fjalimit që mbajti në Kuvend, nga ku deklaroi se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, ndërsa ftoi opozitën që të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në 30 qershor dhe përsëriti ftesën për dialog për PD-në dhe LSI-në.