Edi Rama: Të gatshëm të dialogojmë me opozitën

“Ne jemi të gatshëm të flasim e të dialogojmë me opozitën për çdo gjë”, theksoi Kryeministri Edi Rama, ndërsa ishte në Fier, në takimin “Bashkia që duam”.

Duke folur për qëndrimin e opozitës, Rama tha se, opozita iku nga parlamenti se nuk fitoi një debat të vetëm dhe se ka frikë nga reforma në drejtësi, pasi së shpejti po lind SPAK.

“Ikën nga parlamenti se humbën çdo lloj mundësie që të fitojnë qoftë dhe një debat të vetëm. Sot janë të pafuqishëm se s’kanë asnjë vizion, asnjë ide, asnjë program dhe mirë që si kanë këto, por kanë edhe Saliun. Kështu thanë të bëjnë interesantin dhe po tregojnë muskujt. Keni parë ju që kandidati për Kryeministër vjen me vezë në xhep dhe vjen tjetri “shefi i programit të zhvillimit teknologjik” dhe merr vezët m’i hedh mua. Tani s’po flas për socialistë, po flas për njerëzit normal. Ka njeri që mund t’i shkojë pas një partie që është katandisur që seancën e parlamentit vijnë për sherr, si të gjuajnë me vezë dhe me bojë. Po ju them se pak nga pak ata po treten rrugëve. Por ne na duhet të lexojmë më mirë veten. Të reagojmë më mirë nga gabimet tona dhe në çdo hap të përmirësojmë qeverisjen dhe ta bëjmë të denjë qeverisjen me gjithë këtë mbështetje që kemi në Fier dhe gjithë Shqipërinë”, tha kryeministri.

Duke folur për reformën zgjedhore, Rama tha se ne e kemi gati atë. “Më parë, Luli kishte kasetën e asaj këngës për votim elektronik. Ne kemi bërë studime dhe testime dhe jemi gati. I ftojmë ta provojmë në disa njësi administrative dhe nëse funksionojmë ta fusim në zgjedhje e ardhshme”, tha Rama.

Më tej, kryeministri akuzoi kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi se ka blerë vota në zgjedhje.

Ndërsa për plotësimin e vakancave në parlament, Rama tha se deputetët e rinj janë në lista të vendosur nga vetë krerët e opozitës.

“Po kur thonë se këta që vijnë në parlament janë të Ramës? Pse unë i vura në listat e deputetëve?! Unë ja mbajta dorën Monikës, i thash shëno këtu emrat e tyre. Unë ja mbajta dorën Bashës!? Unë e mora për dore Bashën, por nuk mbajta dorën”, ironizoi Rama.

“Dhe tani që ata të tjerët u vjen mundësi të vijnë në parlament të marrin rrogë, të marrin pension. Pse do rrijnë pas Luanit me 100 veta? Kështu që sa na takon ne, ne do të vazhdojmë kështu siç kemi ecur që në fillim, drejt e drejt””, tha Rama.

Po ashtu, Rama shtoi se “nuk e di nëse opozita do të hyjë në zgjedhje”. “Të bëjnë si të duan, por ata nuk fitojnë dot bashkitë që ne kemi dhe nuk mbajnë dot as gjysmat që kanë”./atsh/

Loading...