Gjatë konferencës për shtyp ku u prezantuan trajnerët e moshave, Xhemal Mustedanagiç drejtori i ekipeve Kombëtare, zbuloi strategjinë që do të ndjekë për të rritur cilësinë e futbollit shqiptar.
Mustedanagiç tha: “Unë jam drejtor teknik. Do të futet gjithçka në sistem. Do respektojmë sistemin dhe rregullat që kemi vendosur. Unë nuk do të kem asnjë konflikt me asnjë nga trajnerët. Në qoftë se do të ketë një konflikt do të jetë me rregullat dhe sistemin, jo me mua. Grupi i lojtarëve do përzgjidhet nga të gjithë ne, dhe të gjithë ne do e respektojmë atë”.
Më pas Mustedanagiç shtoi, “do ketë seleksionime pozitive dhe negative. Në qoftë se do na shfaqet ndonjë element më i mirë, do futet ky dhe do dalë më i keqi. Gjithçka do të jetë transparente. Për lojtarët që do seleksionohen nga jashtë, do të vijnë vetëm ata që janë top talent. Nuk do të vijnë më lojtarë mesatarë”.
Për drejtorin teknik të Kombëtares qëllimi final është kombëtarja A. “Strategjia është zhvillimi dhe çuarja e sa më shumë e lojtarëve në Kombëtaren A. Në çdo sezon kemi 2-3 lojtarë të nivelit të lartë që mund t’i çojmë në ekipin A. Në qoftë se do të çojmë 1 lojtar çdo vit në ekipin kombëtar. Në 10 vjet bëhen 10 lojtarë. Në qoftë se çojmë 2 bëhen 20. Në qoftë se çojmë 3 do jetë shkëlqyeshëm”.
Për trajnerët e rinj Mustedanagiç, ka një këshillë. “Detyra e trajnerëve është të fusin frymën fituese. Duhet të fusin një mentalitet të rri. Ky është një proces. Asgjë nuk vjen për një ditë. Nuk mundesh që me një lëvizje duarsh të ndryshosh gjithçka”.
Në fund Mustedanagiç bëri një premtim. “Do bëj të pamundurën me punën time që kjo gjë të ndodhë. Të kemi potencial që të jemi të barabartë me ekipet mbi mesatare. Jam plot me energji dhe dëshirë që të bëjmë sa më shumë për futbollin shqiptar”. “Shpresoj dhe dëshiroj që t’i arrijmë këto që po them. Në qoftë se nuk i arrij, do vijë dikush tjetër”. /atsh