Ekipi i mjekëve shqiptarë në Itali, mediat: Faleminderit Shqipëri!

“Nuk na ka humbur memoria; nuk mund të mos i tregojmë Italisë se Shqipëria dhe shqiptarët, nuk kanë braktisur kurrë një mik në vështirësi.

Sot jemi të gjithë italianë dhe Italia duhet ta fitojë këtë luftë edhe për ne, për Evropën dhe të gjithë botën”, këto fjalë të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, kanë përzgjedhur mediat italiane në raportet e tyre për ekipin prej 30 mjekësh dhe infermierësh shqiptarë që mbërriti në lombardi për të ndihmuar kolegët e tyre të angazhuar në luftën kundër koronavirusit.

Corriere Della Sera, TGcom, La republika dhe të gjitha mediat e tjera të vendit fqinj, kanë pasqyruar lajmin duke cituar më tej kryeministrin:

Ju pjesëtarë guximtarë të këtij misioni për jetën, po niseni për një luftë që është edhe e jona. 30 mjekë dhe infermierë shqiptarë nisen sot për në Itali, nuk janë shumë dhe nuk do ta zgjidhin betejën mes armikut të padukshëm dhe bluzave të bardha që po luftojnë nga ana tjetër e detit. Por Italia është shtëpia jonë që kur vëllezërit dhe motrat tona na kanë ndihmuar në të shkuarën, duke hapur dyert për ne dhe duke na ndihmuar kur këtu kishte vuajtje”.
“Ne po luftojmë të njëjtin armik. Burimet njerëzore dhe logjistike nuk janë pa kufi, por ne mund t’ia dalim mbanë ndërkohë që në Itali ka një nevojë të madhe për ndihmë – vijon citimi.

“Është e vërtetë që të gjithë janë mbyllur në kufijtë e tyre dhe vendet e pasura i kanë kthyer shpinën të tjerëve. Por ndoshta pikërisht për faktin se ne nuk jemi të pasur, dhe as pa memorie, nuk mund të lejojmë që të mos i tregojmë Italisë se Shqipëria dhe shqiptarët nuk do ta braktisin. Dhe në pritje, ministri i jashtëm italian, Luigi di Maio, thotë, faleminderit Tirana.

“Personat qe keni parë janë 30 mjekë dhe infermierë që po vijnë nga Shqipëria. Dua të falenderoj kryeministrin shqiptar, Edi Rama, qeverinë shqiptare dhe popullin shqiptar për solidaritetin e madh që po tregojnë. Para se këta njerëz të ngjiteshin në avion, për të ardhur këtu, kryeministri shqiptar tha se edhe Shqipëria po përballet me emergjencën e koronavirusit, por nuk mund ti mbajnë rezervat e tyre të ndaluara kur miqtë italianë kanë ezauruar çdo kapacitet që kishin në dispozicion. Ishte një fjalë prekëse për të cilin e falenderoj. Dhe solidariteti që tregohet, provon edhe një herë se Shqipëria e meriton anëtarësimin e shpejtë në BE, sepse shpirti i saj i solidaritetit dhe afërsisë, që po e tregon me këta njerëz këtu, është pikërisht ajo vlerë e përbashkët që bëri që të lidhte BE dhe që populli shqiptar po ia kujton shumë vendeve të tjera të BE, në këtë moment vështirësie. Ndaj faleminderit qeverisë dhe popullit shqiptar. Këta mjekë do të jenë nesër në mëngjes në lombardi, në vatrën më të nxehtë të kësaj lufte. Falenderoj edhe emergjencat civile për koordinimin. I them shumë mjekëve në Itali, ky është një përforcim i vogël për ju që vjen nga Shqipëria”.

Mbërritja në rajonin më të prekur të Italisë, sipas mediave italiane, është koordinuar nga Francesko Boccia, ministri për çështjet rajonale. Sipas mediave italiane, mjekët do të qëndrojnë në Itali për një muaj dhe do të paguhen nga qeveria shqiptare.

Loading...