Prej më shumë se dy muajsh nuk ka asnjë gjurmë nga Ervis Martinaj. Bosi i lojërave të fatit u zhduk pa “nam dhe nishan” në 10 gusht. Gjallë apo vdekur? Kësaj pyetje ende nuk i ka dhënë përgjigje policia shqiptare.
Skenarët dhe hipotezat janë të shumta duke e kthyer këtë ngjarje në një telenovelë. Eksperti i sigurisë Fatjon Softa në një intervistë për “5pyetjet.al” u shpreh se beson se Ervis Martinaj është gjallë dhe lëviz i qetë, pasi ka bërë operacion plastik për të shpëtuar nga rivalët dhe shteti.
Skenarin që sipas tij ka përdorur Martinaj është i njëjtë me atë të biznesmeni italian Davide Pecorelli, që inskenoi vrasjen në Pukë dhe u gjet pas disa muajsh në Itali.
“Unë vazhdoj të besoj se ai është gjallë. Ajo që unë dyshoj është se ai mund të ketë bërë operacion plastik. Një njeri që e do jetën aq shumë dhe ka aq para dhe që u ka shpëtuar kaq operacioneve të policisë, nuk ka mundësi të bjerë në grackë.
Pra ka qenë gjithmonë i mbrojtur për shkak të njohjeve brenda dhe jashtë strukturave dhe pagesave. Shkojnë për ta kapur dhe gjithmonë është lajmëruar….Ai me aq para sa ka me një operacion plastik i shpëton, jo vetëm policisë, por edhe armiqve.
Ka dy kundërshtarë. Ai është një thesar, që nëse kapet mund të nxjerrë emrat e personave që thonë se mund të ketë pasur një listë që ka paguar drejtues të lartë. U ka dhënë “shukun” me lekë. Unë besoj se është gjallë. Ai është mes nesh dhe na dëgjon për ta gjitha lajmet dhe çdo gjë që themi.
Nuk ka mundësi të jetë zhdukur. Ai jetonte afër gardës. Jetonte nëpër hotele. Ju kujtohet historia e italianit (Davide Pecorelli), që dogji makinën dhe u zhduk. Është e njëjta histori. Vajti nga Puka në Itali, Vlorë. Prite kur të dëgjosh kur të dalë diku.
Unë mendoj se këta përfundojnë me operacione plastike. Kjo mund ta kthejë atë në jetë normale. Ai ka pasaportë të Kosovës dhe nënshtetësi të tjera për të lëvizur lirisht” tha ai për “5pyetjet.al”./Shqiperiaime