Ekzekutoi me kallashnikov shokun e ngushtë të Berishës, si mori hak motra e Haklajve mes Bajram Currit

Ditën e sotme Policia e Kukësit publikoi listën me 15 shtetas të cilët janë në kërkim nga policia për krime të rënda.

Ndër të kërkuarit rezulton dhe emri i motrave të Haklajve të Tropojës, Zylfie Haklaj.
Zylfie Haklaj, motra e vëllezërve të akuzuar për vrasjen e Azem Hajdarit është dënuar me 25 vite burg, për vrasje.

Por kush është krimi i rëndë që ka kryer Zylfie Haklaj?

Zylfie Haklaj, me profesion mësuese fizike ka ekzekutuar me armë zjarri mikun e ngushtë të ish-kryeministrit Sali Berisha, Rasim Lumneshi, biznesmen i njohur për kohën.

Sipas versionit që prokuroria ka paraqitur në gjykatë, rezulton se Zylfie Haklaj zbriti në Bajram Curri nga fshati i saj me një furgon pasagjerësh të rastit.

E gjatë mbi një metër e 90 centimetra, ajo e kishte të lehtë të fshihte poshtë palltos së saj një kallashnikov që e kishte hedhur në sup.

Mësuesja e fizikës zbriti nga furgoni në qendër të qytetit, para monumentit të Bajram Currit dhe ngjiti shkallët në krah të tij që të nxjerrin në trotuarin mbi shëtitoren kryesore. Lokali ku qëndronin të ulur dhjetë burra të gjithë me armë në brez, qoftë me leje apo pa leje, ishte afro 100 metra larg.

Ajo eci ngadalë për të mos tërhequr vëmendjen e klientëve të shpërqendruar të lokal “Ervin” që ndodhej vetëm 50 metra në vijë ajrore nga hyrja e komisariatit të Bajram Currit. Sipas dëshmitarëve okularë, Lumneshit nuk i shpëtoi pa i rënë në sy silueta e një femre të gjatë që po ecte me hap të ngadaltë drejt tyre, por miqtë e siguruan të mos shqetësohej për asgjë.

Rreth orës 10:15 minuta Zylfije Haklaj ndodhej vetëm 10 metra larg tavolinës së Lumneshit. Ajo vetëm zbërtheu pallton dhe nga poshtë saj nxori kallashnikovin, të cilin nuk e hoqi nga supi, por hapi zjarr direkt duke qëlluar një nga një.

Të shtënat e para që tronditën shëtitoren kryesore të Bajram Currit në një nga orët më të populluara, i shkaktuan vdekjen e menjëhershme Rasim Lumneshit dhe Ilir Gosturanit. Ndërsa Hysni Biberi dhe kryetari i gjykatës së Tropojës, Kujtim Dusha mbetën të plagosur. Nuk dihet a do të kishte patur viktima të tjera nëse mësueses së fizikës nuk do t’i bllokohej kallashnikovi.

Pavarësisht se të gjithë personat që gjendeshin përballë ishin të armatosur, ajo nuk e humbi toruan, thjeshtë ndërroi karikatorin e automatikut, kopsiti pallton dhe vazhdoi të ecte më këmbë duke u larguar drejt pallateve në lagjen “Partizani” për të mos u kapur kurrë nga policia.

Vetëm pak çaste më pas njëri nga personat që ndodhej në tavolinë me viktimat qëlloi disa herë me pistoletë në ajër për të kërkuar ndihmën e policisë. Por ishte tepër vonë, Rasim Lumneshit i mjaftoi vetëm një gabim dhe besimi te miqtë e tij që i dolën garant për të përfunduar nën breshërinë e plumbave, raporton Lajmifundit.al.

Kush ishte Rasim Lumneshi?

Më 2 prill 2002, Rasim Lumneshi, një emër i njohur jo vetëm në Tropojë, u bë viktima e radhës në atë që sot quhet “Dosja Tropoja”. Lumneshi dhe familja e tij ishin larguar nga Tropoja qysh në fillimin e viteve ’90 për t’u vendosur në Fier.

Ai ishte pronari i njërit prej hoteleve më të bukura të Fierit, me emrin “Shkëlzeni”. Rasimi ishte mjaft i njohur dhe në radhët e demokratëve në gjithë vendin.

Jo vetëm si mbështetës i zjarrtë dhe sponsor i PD-së, por dhe si mik personal i liderit demokrat Sali Berisha. Madje gjatë një mitingu në qytetin e Fierit, Rasim Lumneshi ndërhyri energjikisht duke shpëtuar nga një atentat me granatë mësymëse liderin e opozitës.

Ai ishte akuzuar nga prokuroria si një ndër organizatorët kryesorë të ngjarjeve të 14 shtatorit 1998 në Tiranë, vepër penale për të cilën u arrestua dhe brenda 48 orësh u la sërish i lirë për mungesë provash.

Familja Lumneshi kishte patur marrëdhënie të mira me familjen Haklaj, madje djemtë e tyre kishin shoqëri deri në momentin që nisi skenari i përgjakjes së Tropojës. Për Haklajt Rasim Lumneshi vlerësohej si një djalë trim dhe kurajoz, si person që kishte trashëguar shumë nga vlerat dhe tradita e Malësisë së Gjakovës. /Lajmifundit.al

Loading...