Elena Gjika, gruaja që i dha shumë Shqipërisë

Në gjithë atë plejadë burrash dhe grash të Rilindjes Kombëtare që bënë gjithçka kishin në dorë për të mirën e kombit deri atëhere të sunduar e të rrënuar nga regjimi shumë shekullor osman, duke respektuar atë më të largëtën, që është edhe më e mallshme, nuk mund të harrosh, princeshën me origjinë shqiptare Dora d’Istria (Elena Gjika) që mori pjesë, madje quhet edhe pioniere e Evropës së Bashkuar, në lëvizjen kulturore përparimtare të Evropës si kundërshtare e sundimit despotik dhe e shtypjes kombëtare.

Në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare ajo u shqua si një aktiviste e madhe me kontakte me personalitete më në zë evropianë, por edhe me figurat tona të rilindjes si me Jeronim De Radën, Dhimitër Kamardën, Zef Jubanin, Zef Seremben, Thimi Mitkon, duke rrahur mendime për organizimin e lëvizjes kombëtare, sidomos në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Dora d’Istria ishte me origjinë shqiptare dhe kishte gjak princëror, çka i lejoi kontakte të shumta me rrethe të ndryshme intelektuale, shkencore, politike dhe letrare.

Fama e kësaj gruaje fisnike u përhap shumë shpejt në Evropë dhe fill pas saj edhe përtej oqeanit. Ishte një mikeshë e shkrimtarit të shquar amerikan Henry Longfellow, i cili ka shkruar e dhe një poemë për Skënderbeun. Po kështu pati kontakte me personalitete të shquar të kohës si Hahn, Giuzeppe Garibaldi, Adam Wolf e shumë të tjerë.

Elena Gjika ka lindur në Rumani, më 22 janar 1828, por origjina e saj është nga ngulimi labovit i Pargës. Veç të tjerash këtë e vërteton vetë Elena Gjika, që shkonte shpesh në pranë brigjeve të Pargës, ku kishte edhe shumë labovitë të tjerë, që shekullin e 17-të kishin ardhur nga Labova dhe kishin krijuar “Ngulimin” labovit, i cili ekziston edhe sot . në fund të jetës qëndruan dhe vdiqën në Pargë. Prindërit e Elena Gjikës kishin emigruar në Rumani, madje, babai i saj, Mihal Gjika, u bë edhe ministër në Moldavi – Vllahi në fillimet e viteve 1800, por jetën mbyllën jetën në Pargë nëmes të shekullit të 19-të.

Elena Gjika në moshë të re studioi në Rumani, Itali, Francë, Gjermani etj., ku u mbrujt me një kulturë të gjerë perëndimore, në shkollat më të mira të Europës. Ajo ishte vajzë e zgjuar, simpatike, shkruante poezi e tregime, përkthente nga literatura botërore, falë përvetësimit të nëntë gjuhëve të huaja.

Kur princesha Elenë, e ditur dhe e hijshme, tërhoqi vëmendjen e shoqërisë së lartë, nuk ishte më shumë se 20 vjeç. Ajo po vinte pas personalitetesh të tilla grash si: shkrimtaret frënge Zhorzh Sand dhe kontesha d’Agu, duke arritur nëkulmin e lavdishëm, aq sa princi i Rumanisë Karoli I i dërgoi Urdhrin e Shkallës së I “Bene Merenti”, vlerësim që në perëndim caktohej për dijetarët meshkuj.

Në fjalorin universal francez shkruhet: “Princesha Elena njihte thellë italishten, anglishten, gjermanishten, frëngjishten, rumanishten, greqishten, latinishten, rusishten dhe shqipen”. Shqiptimi i tyre prefekt e pajisi me kulturë të gjerë, sa që studiuesi spanjoll Iriarte do ta quante “Enciklopedi e gjallë“.

Model jo vetëm i bukurisë së femrës shqiptare, por edhe poete, piktore, publiciste pasiononte, mbledhëse dhe studiuese e folklorit. Ajo shkroi një sërë artikujsh publicistikë falë udhëtimeve dhe shtegtimeve të shpeshta dhe të largëta me një tok mbresash udhëtimi, nëpër organe të ndryshme të shtypit, si tek “Ilustration i Parisit”, “Lejour i Triestes” etj.

“Dashuria për atdhe ka qenë gjithmonë veçoria më kryesore e shqiptarit. Shqipëria në të gjitha kohët ka qenë vendi i heronjve. Kombi shqiptar është një populli fortë i fuqishpëm porsi shkëmbinjtë ku jeton”, shkruan ajo në artikullin e famshëm “Kombësia Shqiptare sipas këngëve popullore” (letërkëmbim me De Radën në vitin 1859). “Populli shqiptar, një nga më të vjetrit e Evropës, vazhdonte ajo, meritonte të ishte i lirë dhe në liri të zhvillonte më tej aftësitë e veta krijuese”.

Ajo ishte për krijimin e një Akademie Shqiptare në Kalabri nën shembullin e Akademisë Frënge të Risheljesë, e cila të merrej me Fjalorin Kombëtar, për t’u bërë shpirti i popullit shqiptar. Në kërkimet që bën në Venecia Dora d’Istria shprehet për marrëdhëniet intime e të gjata me Shqipërinë, bile edhe për një bashkëvëllazëri shqiptare.

Ajo ishte për një përgatitje të kryengritjes shqiptare me armë, duke siguruar 15 deri në 20.000 pushkë 15 frangëshe. Këtë kryengritje e përkrahte edhe gjeneral Garibaldi, që i drejtohej Dora d’Istrias “Motër heroike”.

Sipas “Larousses” (Paris, 1870, vëll VI, f. 1107) Dora d’Istria u bë “Kampion i palodhshëm i çështjes së kombësive, të ardhmes politike dhe shoqërore të popujve, për një jetë moderne”. Ndërsa arbëreshi Dhimitër Kamarda do thoshte për të: “Unazë e qytetërimit midis lindjes dhe perëndimit”.

Për rolin aq të çmueshëm në çështjen e çlirimit tonë kombëtar, atdhetarët shqiptarë e mbiquajtën “Ylli i Shqipërisë”.

Ndër pasuritë e saj letrare e shkencore, me interes për ne janë letërkëmbimi i saj me rilindësit tanë të shquar që i përmendëm në fillim të këtij shkrimi. Në epistolarin e saj, tashmë të njohur dhe të publikuar, vihet re kontributi i saj i shkëlqyer në luftën për pavarësinë e Shqipërisë.

Jetën dhe veprën e kësaj zonje fisnike nuk mund ta njohësh pa lexuar punimin voluminoz të ish-drejtorit të arkivave veneciane, B. Cechetti dhe sidomos bibliografinë e punimeve të saj që ndahet në disa pjesë. Në pjesën e parë janë studime e punime letrare mbi poezinë popullore, portrete letrare të gadishullit të ballkanit dhe më gjerë; studime të poezisë indiane dhe popujve të tjerë; kritika letrare etj; në pjesën e dytë të bibligrafisë janë punimet mbi jetën në manastiret fetare që e bëri Dora d’Istrian të famshme në Evropë; pjesën e tretë, trajtohen problemet shoqërore të femrave dhe të luftës; pjesa e katërt i kushtohet ekonomisë politike dhe agrikulturës; në pjesët e tjera trajtohen artikujt me karakter politik; histori dhe udhëtime; dhe në fund romanca dhe shkrime të ndryshme. Mes veprave historike me interes për ne zënë vend studimi për Bushatllinjtë e Shkodrës (1868) dhe për Ali Pashë Tepelenën(1870), të dyja nën titullin e përbashkët Shqiptarët myslimanë të botuar në revistën “Nuova Antologia e Firences”. Mbi familjen Gjika ajo trajtoi gjatë në studimi Shqiptarët e Rumanisë i cili pasi u botua në rivista “Europea” (1871-73) doli edhe si vëllim më vete i përkthyer në italisht nën kujdesin e B. Cechettit (1873).

*

Ka një përmbledhje studimesh ku trajtohet edhe ky problemi i origjinës të familjes Gjika, për të cilën Elena saktëson se Gjikat kanë prejardhje shqiptare duke shmangur kështu të gjitha hipotezat që pretendonin të devijonin origjinën e kësaj familje. Mirëpo tregohet e rezervuar të fiksojë se nga cila zonë e Shqipërisë është familja e saj dhe për çfarë arsye të parët e Gjikajve u shpërngulën në Azinë e Vogël.

Diçka për titullin e saj si princeshë: Titulli i saj si princeshë erdhi nga martesa me princin rus Aleksandër Koltov Massalskij, me të cilin kaloi një jetë të trazuar në Oborrin Perandorak të Carit Nikollai I. Jeta e Pallatit i ndrydhi shpirtin, prandaj largohet prej andej, fillimisht për në Zvicër, dhe pastaj në lirinë e saj të plotë në të gjithë botën.

Një Dianë e ndritshme plot jetë

Filologu dhe orientalisti i shquar A. De Gubernatis e përshkruan kështu Dora d’Istrian:

Unë nuk e kam njohur si princeshën Elena të Rumanisë, por nga koret e himneve të bukurisë së saj greke, që më kumbojnë rreth e rrotull, himne princash dhe peshkatarësh, poetësh dhe kritikë, e sarmati-ve të ashpër dhe latinëve të këndshëm, duhet të pranoj që nuk bëhet fjalë për një bukuri të stisur, të një Diana të zbehtë, të një luleje të fishkur, por ama të një flake të fortë e të fshehur, gjithmonë e ndritshme e gjithmonë plotë jetë….Rumenë, shqiptarë, grekë, sllavë, latinë e trajtojnë dhe e respektojnë si bashkëqytetaren e tyre të palodhur Dora d’Istrian, sepse ajo ka bërë të tingëllojë në Perëndim fjala e saj e këndshme, e ndjeshme, e gjallë dhe elegante në dobi të të gjithëve : për Orientin e pastaj për latinët ajo shpjegoi cilësitë e gjermanëve, të skandinavëve, të fimaingëvë dhe të anglo-saksonve, me qëllim që progresi të mos mbetej privilegj i vetëm disa popujve…(rivista “Contemporanea Nazionale Italiana”, Torino, prill 1869)

Personalitet i padiskutueshëm shkencor i disa akademive

Princesha Dora d’Istria është pranuar nga shumë akademi të Italisë, Francës, Greqisë, Turqisë evropiane, të Azisë së Vogël, Austrisë. Është anëtare nderi e shoqatës Arkeologjike të Athinës (28 maj 1860), anëtare e Shoqatës gjeografike të Francës (19 janar 1866), anëtare korrespondente e Universitetit të Venecias, 8 mars 1868, anëtare nderi e shumë akademive italiane (1868-1873) mes të cilave akademia fizio-medistatika e Milanos, 18 qershor 1868, anëtare nderi e Minervës të Triestes, anëtare nderi e Sillogut të Athinës, maj 1867, anëtare nderi e Sillogut të Kostandinopolit, 8 gusht 1870, presidente nderi e (shoqatës) Elikona të Smirine (Azi) 17 mars 1871, anëtare e merituar e Akademisë Mbretërore Rafaelo nga Urbino, 17 dhjetor 1871, anëtare letrare e Shoqatës për nxitjen e teatrit në Itali, Firence 21 janar 1872, nën-presidente nderi e Shoqatës të grave greke për institucionalizimin femëror, 11 shtator 1872, anëtare e Akademisë të Konsultës (Quiriti) në Romë shkurt 1873, anëtare nderi e Paransios të Athinës, 28 shkurt 1873, anëtare nderi e Akademisë Pitagorike të Napolit 24 maj 1873, korrespondente e huaj e Akademisë Kombëtare e letërsisë dhe e shkencave të Barcelonës (Spanja) dhe e Institutit arkeologjik të Buonos-Ayres (Amerikë) 30 maj 1873, presidente nderi dhe kujdestare e shoqatës Chark të Kostandinopolit, 20 prill 1873 etj.

Botime të Elena Gjikës në shqip

“Gra të para nga një grua”, shtëpia botuese “Elena Gjika”, Tiranë 2003. Elena Gjika, “Letra drejtuar Jeronim de Radës”, shtëpia botuese “Bargjini” 2004. Elena Gjika, “Fyletia arbenore” prej Kanekate Iaoshima, përktheu Demetrio Camarda, Livorno 1867. Vehbi Bala, “Jeta e Elena Gjikës” (Dora D’Istrias), Rilindja, Prishtinë, 1970. Koli Xoxi, Zvicra dhe Dora D’Istria, Tiranë, Alta 1995. Koli Xoxi, “Erazmi i Roterdamit dhe Helena Gjika”, Marin Barleti, Tiranë, 1994. Koli Xoxi, “Franca sipas Dora D’Istrias”, Tiranë 1997. Ahmet Kondo, “Dora D’Istria për çështjen kombëtare shqiptare”, Tiranë 2002. Cristia Maksutoviç, “Elena Gjika dhe shqiptarët e Rumanisë”, Tetovë 2001.

Botime shqip për Elena Gjikën

Për Elena Gjikën, shqiptarët kanë shkruar dhe botuar shumë artikuj shkencorë, publicistikë si dhe një sërë monografish si” Vehbi Bala, “Jeta e Elena Gjikës Dora d’Istrias” (“Mihal Duri”, Tiranë, 1967, 5.000 kopje), Cristia Maksutovici, “Un nume pe nderpet uitat: Dora d’Istria”/ “Një emër i harruar me të padrejtë; Dora d’Istria” (“Ararat”, Bukuresht, 1997), Kristia Maksuti, “Elena Gjika dhe Shqiptarët e Rumanisë”, (Çabej, Tetovë, 2001), Ahmet Kondo, “Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare”, (“Flesh”, Tiranë, 2002), Cristia Maksutovici, “Dora d’Istria”, (“Kriterion”, Bukuresht, 2004) etj.

Loading...