Emërohet Sekretari i ri i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë

Lavdrim Sahitaj do të jetë Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë. Pedagogu dhe autori i disa publikimeve, drejtues i një sërë institucionesh të rëndësishme në vend, do të jetë në vazhdim numri dy i dikasterit të drejtuar nga ministrja Anila Denaj.

Sahitaj vjen në këtë post pak kohë pas emërimit të Anila Denaj në krye të bujqësisë shqiptare, pasi sekretari i mëparshëm u largua bashkë me ministren e shkarkuar Frida Krifca.

Pedagogu Lavdrim Sahitaj ka mbajtur deri më sot disa poste të rëndësishme në institucionet e shtetit shqiptar, madje ka qenë dhe vartës i Anila Denaj kur kjo e fundit drejtonte Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë.

Tashmë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Lavdrim Sahitaj është diplomuar për “Ekonomiks” në Universitetin Bujqësor të Tiranës në vitin 2003 dhe në vitin 2010 ka përfunduar me sukses Masterin e Shkencave në “Administrim Publik”, një program bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Nebraskës, SHBA.

Më pas, në vitin 2015, ka mbrojtur disertacionin për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Universitetin Europian të Tiranës. Ndër specializimet e tij mund të përmendim atë për teknologjinë e informacionit të ndjekur në Bournemouth & Poole College, Bournemouth, Angli.

Siç deklaron në jetëshkrimin e tij, Lavdrim Sahitaj ka një përvojë pune afërsisht 15 vjeçare në administratën publike dhe akademike. Nga 2004 në 2009, ka qenë pjesë e administratës së qeverisje vendore në Bashkinë e Tiranës duke mbajtur pozicionin e koordinatorit të programit të menaxhimit të informacionit në Drejtorinë e Ujësjellësit.

Gjithashtu, gjatë viteve 2008-2013, ka qenë lektor i lëndëve Menaxhim i Burimeve Njerëzore dhe Menaxhimi i Operacioneve. Nga 2014 deri në vitin 2019, Lavdrim Sahitaj ka mbajtur fillimisht detyrën e drejtorit në Degën e Thesarit Tiranë dhe më pas drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit.

Ai u emërua Kryeinspektor i Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), në Shtator 2019 dhe nga muaj Maj 2022 deri më sot ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Taksës së Pasurisë në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Loading...