“Ëndrra e prerë” – Poezi nga Dritëro Agolli

Ëndrra e prerë

1.
Mos vdis , se pas shirave arën e mbushi bari,
Ka rënë në ullishte mizë e ullirit,
Hardhia duhet spërkatur shpejt me gurkali
Dhe ende s’ka dalë nga plisi kërcelli i misrit.

Ne ëndërronim të bënim një anije,
Kurrkush s’e mendonte me ç’dru do ta ngrinim,
Kishim ndërmend ta ndërtonim me degë hardhie
Dhe vela t’i vinim.

Bodrumet e saj t’i mbushnim me poçe me verë
Dhe të lundronim në ishujt e Havajës,
Ta pinim verën me vajzat e ishujve në belvedere,
Zezaku të bënte fresk me fletën e palmës.

2.
Mos vdis, se kalit i ra në vrapim nje potkua
Dhe nisi ta ngrerë nga dhëmbja këmbën e parë,
Kërkojmë potkonj e s’na jep njeri hua,
S’e gjejmë as nallbanin e marrë.

Ne ëndërronim të shkonim në hipodromë
Në vende të lumtura ku bëhen gara me kuaj…
Tani dhe kali çalon e s’e ha barin e njomë;
Me sytë si gota na sheh si të huaj.

3.
Mos vdis , se dielli në oborr e ka shtruar sofrën e madhe,
Dhe presim të vijnë vajzat të gjitha,
Të gjitha ato që ti u thoshe “sorkadhe”,
Kur grisnin fustanet në driza.

Mos vdis në dhomën e heshtur i shtrirë ,
Është turp kaq shpejt të rrish e të vdesësh ,
Ne ëndërronim një vdekje pak më të mirë :
Duke vdekur fytyrat tona t’i shihnim në pikën e vesës.

Dritëro Agolli

Loading...