Avokatja e njohur dhe drejtuesja e programit ‘’Shihemi në gjyq’’ Eni Çobani përgëzoi kryeministrin Edi Rama për përfshirjen e vendit tonë në operacionin e shpëtimit të djaloshit Alvin Berisha nga kampi famëkeq i Al-Holit në Siri.
Në lajmin e dhënë nga Rama për shpëtimin e 11-vjeçarit shqiptar dhe transferimit të tij në Liban, Çobani vlerësoi vullnetin politik për t’i shërbyer qytetarit.
Çobani shprehet se beson se shteti mund të funksionojë.
‘’Bravo! Ky është vullneti kur politika i shërben qytetarit me devocion dhe profesionalizëm.
E lumtur për Alvinin, por e bindur që ka shtet’’, shkruan në profilin e kryeministrit Rama në Facebook.
Alvin Berisha kishte mbetur në Siri prej 5 vitesh, pasi u mor nga e ëma në vitin 2014 për t’u vendosur në kampin Al-Hol që kontrollohej nga militantët e ISIS-it.
Rasti i tij u denoncua nga programi ‘’Le Lene’’ në Itali. Pas thirrjeve të shumta nga qytetarë dhe media të ndryshme, qeveria italiane vendosi të bashkëpunonte me palën shqiptare në nxjerrjen e djaloshit nga kampi i Al-Holit.
Alvini po shoqërohet nga punonjësit të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe nga Libani drejt shtëpisë së tij në Itali, ku e pret i ati Afrim Berisha.