Ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 dha detaje për protestën e 13 Prillit të opozitës, tek e cila u fokusua sot edhe takimi i kryedemokratit Basha me ish-deputetët e kryesinë.
Alibeaj u shpreh se protesta pritet të jetë më e madhe se ajo e 16 shkurtit dhe 16 marsit, ndërsa masiviteti i saj do të përcaktojë edhe kohëzgjatjen.
“Nuk ka asgjë për tu fshehur.
Kemi organizuar 18 protesta të mëdha. Mjeti i vetëm përballë kësaj qeverie mbetet protesta.
Do jetë shumë herë më e madhe se ajo e 16 shkurtit dhe 16 marsit”,- tha ai.
I pyetur pse po zhvillohet pasdite protesta e radhës, Alibeaj shtoi se nuk ka asnjë skenar okult.
“Janë bërë protesta në mes të ditës, në pikë të diellit, në darkë janë bërë. Nuk ka asnjë lloj strategjie okulte, ditën e shtunë më 13 prill të gjithë qytetarët që e kanë një hall me këtë qeveri uzurpatore do të duhet të jenë aty”,- tha ish-deputeti, duke shtuar se “Rama duhet shkulur që aty”.
Në lidhje me deklaratat e kreut të BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca se duhet dialog për zgjidhjen e krizës, Alibeaj u shpreh: “S’jam dakord me këtë mënyrë të konceptuari të krizës. Kjo është krizë e trefishtë, e para institucionale, pasi kemi gjysmën e institucioneve të rrënuara, së dyti është krizë politike që me aktin e ndërmarrë nga ne për të lënë mandatet, por mbi të gjitha është krizë përfaqësimi. Jo krizë mes rilindjes dhe opozitës, por mes publikut shqiptar dhe pushtetit. Duhet dialog mes publikut dhe pushtetit, pyetja është si zgjidhet? Ka vetëm një zgjidhje, sa herë ka kriza përfaqësimi zgjidhja janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”,- tha ai.
Ndër të tjera, Alibeaj deklaroi prerë se opozita nuk futet në zgjedhjet e 30 qershorit me Ramën kryeministër dhe me krimin nga pas tij.