“Nuk mund të hysh në shtëpinë e opozitës nga dritarja, kur ke dalë nga dera”, kështu e ka kometuar anëtari i kryesisë së PD, Eno Bozdo, krijimin e partisë “Bindja Demokratike”, nga Rudina Hajdari.
I ftuar në studion e lajmeve të “OraNews”, Bozdo theksoi edhe njëherë qëndrimin e PD dhe të opozitës që se nuk do të hyjnë në zgjedhje pa pasur garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Do të thosha që nuk mund të pretendosh të hysh në shtëpinë e madhe të opozitës shqiptare nga dritarja dhe veçanërisht pasi je larguar nga dera e kësaj shtëpie në kundërshtim të plotë me interesat e opozitarëve dhe të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
PD nuk do të regjistrohet në zgjedhje, aleatët e saj nuk do të regjistrohen në zgjedhje, përsa kohë ne nuk kemi garancinë minimale që këto zgjedhje do të jenë të ndershme dhe të lira.
Ky nuk është një akt për të marrë zgjedhjet në tavolinë.
Sondazhet tregojnë se opozita është shumicë.
Kurdoherë të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe lokale opozita fiton, e ka në xhep fitoren.
Por në kushtet kur Rama nuk jep garancitë minimale, pjesëmarrja e opozitës në zgjedhje, jo vetëm do të ishte fasadë, por nuk do ti shërbente vendit”, u shpreh Bozdo.