Epidemiologu i njohur Ilir Alimehmeti përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se mbyllja e shkollave nuk ka ndikuar në frenimin e përhapjes së Covid 19. Duke iu referuar studimeve shkencore, Alimehmeti thotë se nuk ka të dhëna që të provojnë se shkollat janë vatra të përhapjes së infeksionit, ndërsa rendit një sërë pasojash negative që sjell mbajtja e fëmijëve të izoluar.
Miqtë e mi, një prej vendimeve më të rënda të marra në kuadrin e panikut dhe të pabazuara në evidencë, ishte mbyllja e shkollave dhe kalimi i mësimit online.
Mund të mirëkuptohen ndoshta vendimet e një viti më parë, kur shumëçka ishte e panjohur, por muaj më pas informacioni ishte i plotë dhe i konfirmuar nga ECDC, CDC dhe OBSH që shkollat nuk ishin vatra të rëndësishme të përhapjes së SARS-CoV-2.
E megjithatë shumë shtete vazhduan vazhdën e vendimeve të pabazuara në evidencë, duke mbyllur plotësisht apo pjesërisht shkollat.
Nga ana tjetër, efektet negative të mbylljes së shkollave mbi fëmijët dhe adoleshentët i njohim shumë mirë:
reduktim i aktivitetit fizik,
reduktim i ndërveprimit social,
reduktim i mirëqenies psikologjike,
probleme psikopatologjike,
risku i obezitetit,
risku i vartësisë nga celulari/tableti/kompjuteri,
mosmbrojtja nga abuzimi në shtëpi, dhe
problemet e performancës së mësimnxënies.
Të gjithë e kishim të qartë që fëmijët dhe adoleshentët nuk e vuanin sëmundjen aq shumë, por u fshehëm pas gishtit duke thënë: “ua ngjisin të tjerëve”! Mirëpo herët e vonë çdo e vërtetë del në pah! Kërkuesit italianë kanë studiuar në detaj të dhënat e 7.3 milionë nxënësve dhe të mësuesve në shkollat e tyre dhe kanë publikuar të dhënat në The Lancet më 26 mars 2021. Është studiuar periudha 30 Shtator 2020 – 28 Shkurt 2021 që përkon me valën e dytë të Italisë.
Gjetjet kryesore:
HAPJA E SHKOLLAVE NUK ËSHTË SHOQËRUAR ME RRITJE TË KOEFICIENTIT Rt TË SARS-COV-2.
MBYLLJA E SHKOLLAVE NUK ËSHTË SHOQËRUAR ME ULJE TË KOEFICIENTIT Rt TË SARS-COV-2.
INCIDENCA E SARS-COV-2 TE NXËNËSIT ISHTE MË E ULËT SE NË POPULLATËN E PËRGJITHSHME.
INCIDENCA TE MËSUESIT ISHTE E NJËJTË ME POPULLATËN E TË NJËJTËS MOSHË.
Gjetje mbi infeksionet dytësore:
Infeksionet dytësore në shkollë janë <1% dhe, ndër këto, vetëm në 5-7% janë gjetur vatra me mbi 2 raste dytësore.
Infeksionet dytësore të mësuesit janë të rralla.
Kur ndodh, mësuesit infektohen më shpesh nga një mësues tjetër se sa nga një nxënës (raport 3,7 : 1).
Autorët dalin në përfundimet e rëndësishme që:
Hapja e shkollave nuk duhet konsideruar si faktor i rëndësishëm i përhapjes së COVID-19.
Mbyllja e shkollave nuk ka përmirësuar uljen e koeficientit të riprodhimit të COVID-19.
TË DHËNAT MBËSHTESIN MË TEJ KONSOLIDIMIN E NOCIONIT QË RISQET E SHKAKTUARA NGA MBYLLJA E SHKOLLAVE JANË MË TË MËDHA SE PËRFITIMET.
Pra, miqtë e mi, le të pranojmë që problemi i përhapjes së COVID-19 jemi ne, të rriturit, e le t’i lëmë fëmijët të qetë që të jenë femijë e të luajnë, të takohen, të arsimohen, TË JETOJNË!