Eqerem Bej Vlora për natyrën Shqiptare

Rrjeshtat e maposhtëm janë marrë nga botimi “KUJTIME 1885-1925” të autorit Eqerem bej Vlora, Botuar nga Shtëpia e Librit dhe Komunikimit, v. 2003. (Faqet 272 – 282).

Udhëtime shqiptare
(Maj-korrik 1912)

Këtë vit “u hodha” edhe një herë në Shqipëri. Shkaku ishte një ngjarje e trishtuar. Tezja ime e dashur Zehra hanëmi, nëna e kushuririt tim Servet, pas vuajtjesh të gjata shpirtërore e si pasojë e një operacioni, kishte vdekur në fund të marsit 1912; unë duhej të shoqëroja për në Vlorë kufomën e së ndjerës, për ta varrosur atje në tyrben e oborrit të xhamisë së Sheh Jakupit, ku preheshin edhe eshtrat e të birit të saj. …..

Në maj 1912 nisem nga Vlora, i shoqëruar nga njerëzit e mi me çadra, kafshë barre dhe qen, (një karvan i vërtetë arixhinjsh) dhe shkoj në Delvinë, Libohovë, Pogon, Çaraplanë, Konicë, Samarinë, pastaj në Kolonjë dhe së fundi në Korçë. Këtu qëndrova disa ditë, për të ardhur në kontakt me rininë e atjeshme tejet të ndezur nga patriotizmi. …..

…. U nisa sërish për udhë, i shoqëruar nga një tufë e tërë djemsh familjesh të njohura, të cilët deshën me doemos të më përcillnin deri në Ohër, nëpër trevën rreth liqeneve të Ohrit dhe të Prespës, tashmë të rrezikshme nga veprimtaria e çetave bullgaro-greke. …..

Nga Ohri itinerary im vazhdoi për në Strugë dhe në Dibër, prej nga unë bëra një shmangje nëpër Maqellarë e Peshkopi, për tu ngjitur në Korab (2.730 m). Male të bukura siç të ze syri në Zvicër a në

Tirol, në Shqipëri nuk ka. Malet e saj janë gëlqerorë dhe mbartin në vetvehte zymtinë e natyrës karstike. Maja të veçanta, rrafshnalta të veçanta, disa lugina (Theth, Lurë, Tomorricë, Samarinë, Shpat, Rugovë, shpatet Lindore të Korabit, brigjet e Himarës dhe të tjera), mund të duken, në krahasim me viset përreth, piktoreske me një romantikë të egër, por gjatë gjithë udhëtimeve të mia të shumta nëpër Shqipëri, unë nuk kam vënë re asgjë nga ato bukuritë natyrore shpiptare të lexuara nëpër libra. Veçoria e pejsazhit shqiptar qëndron në fqinjësinë e ngushtë të kundërshtive, të cilat e bëjnë vendin t’i ngjajë një skenari kulisash teatrale të ndryshme e fantastike. Aq sa unë shumë herë e kam pyetur veten – dhe krejt seriozisht – se mos karakteri i shqiptarëve, tërë kundërshti, shpjegohet me natyrën që i rrethon këta njerëz? …..

Nëpër luginën e Radikës dhe përmes grykës Këlcyrë-Radikë rruga jonë vazhdoi drejt rrafshit të Mavrovës. Natën e kaluam në fushën e gjërë të Rostushës. Nga fshatrat përreth erdhën turma njerëzish për të parë të habitur, çadrat dhe pajisjet tona. Fillimisht kjo kureshtje nuk më gëzoi edhe aq, sepse tani, mendova unë, do të ishim të detyruar t’i ruanim më mirë plaçkat tona. Por shumë shpejt e pashë që isha gabuar, …..

Dy ditë qëndrova aty dhe pataj ne morëm përpjetë grykës së vështirë të Këlcyrës – lumi Derven – derisa dolëm në pllajën e Mavrovo Anovit (1.100 m), një rrafshnaltë e mrekullueshme, pothuajse e papunuar dhe e pabanuar, që, edhe pse fillim korriku, gjelbëronte nga bari i njomë dhe i dëndur. Natën e kaluam në hanin e Mavrovës, ku edhe dëgjuam lajmet e fundit nga mbledhja në çiflikun e Danush bej Gjinollit.

Të nesërmen arritëm në Gostivar. Pritja e autoriteteve turke, kur unë me karvanin tim erdha para hanit, në treg, nuk ishte aspak miqësore. …. Kajmekani ishte një shqiptar nga Gjirokastra.

Mbrëmjen e kalova me të dhe të nesërmen herët u nisa për në Tetovë (Kalkandele). Aty nuk rrihej – qyteti ishte plot me ushtarakë, dhe vetëm sa i bëra një vizitë teqesë së mrekullueshme bektashiane, babai i së cilës ishte shqiptar dhe miku im. Nga përshkrimi që i bëri ai gjendjes në Kosovë dhe në bazë të këshillave të tij unë munda ta rishikoj planin e udhëtimit tim të matejshëm. Së pari do të shkoja në Bardovc, në kështjellën e vezirit Reshit Akif pashë Koxha-Ragib Bostani; i zoti i shtëpisë, mik i familjes sonë, banonte prej kohësh në Stamboll me gjithë familje, dhe kështu unë do isha vetëm e do mund të bëja në kështjellë ç’të më donte zemra. Kështjella e Bardovcit, as dy orë larg Shkupit, shtrihej në të dalë dhe në rrëzë të luginës së Vardarit. Aty pastaj do të mendohesha për më tej.

Nuk ishte aspak me mend të futesha kuturu nëpër katrahurën e postblloqeve ushtarake turke, sidomos me gjithë atë vazhdar që më ndiqte pas. Me siguri do të kisha vështirësi të panevojshme që nuk do t’i duheshin askujt, ca më pak mua.

Dhe kështu dërgova një njeri të teqesë të lajmëronte qehajanë e çifligut për ardhjen time dhe një pasdite, bashkë me gjithë karvanin tim, u gjenda në oborin e rrethuar prej muresh të larta, si të një fortese të çifligut. Jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë Ballkanin unë nuk kam hasur ndonjë shembull (model) tjetër të arkitekturës turko-ballkanase të shek.18-të, si kjo e çifligut të Bardovecit.

Rrethuar me një mur të pajisur me shumë kulla mbrojtëse, e në mes të një kopshti dhe obori të brendëshëm, ngrihej një kështjellë trekatëshe me kullat e saj katër-pesë katëshe. Kati përdhes ishte ndërtuar me gurë të bukur katrorë, katet e sipërme me dru dhe llaç (të quajtura bagdadi ose çatma), të zbukuruara nga jashtë e nga brenda me motive të spikatura. Pikturat me ngjyra të ndezura të mureve të jashtme të kujtonin ndërtimet fiorentine të shek. të 15-të, pikturat e brendëshme të dhomave e sallave – kështjella kishte 30 të tilla – dhe pjesët me dru të gdhendur, mbanin vulën e stilit bizantino-ballkanas. Dukej që këtu kishin punuar mjeshtërit dibranë. Por mjeshtër të asaj kategorie, që, mjerisht, nuk lënë pasardhës të denjë.

Në Bardovec na pritën dhe na nderuan princërisht. Qëndrova aty një javë. Dreka dhe darka shtrohej për 20-25 vetë. Unë haja në një sofët të veçantë bashkë me ndonjë nga krerët e ftuar herëpashere të fshatrave përreth. …..

Ndërkaq kryengritësit shqiptarë kishin ardhur pranë Shkupit. Unë dërgova një lajmës të shkathët te Hasan bej Prishtina (Vuçiterni), Riza bej Jakova dhe Isa Boletini, për t’u thënë që ndodhesha në Bardovec. Dy ditë më vonë lajmësi u kthye bashkë me 30-40 burra të shpurës së këtyre prijësve që do të më shoqëronin mua deri në Shkup. Pasi i thashë qehajait tim që të kthehej me gjithë karvanin në Vlorë, vetë mbajta dy njerëz dhe u nisa për në Shkup. ….

Vetëm se ky popull zotëri, të cilin unë, si atëhere edhe sot, e dua me gjithë shpirt, sepse ai, me vetitë dhe veprat e tij fisnike përfaqëson këngën e fundit të eposit heroik evropian. Ky popull nuk ka pasur kurrë fat me udhëheqësit e vet, të mëdhej a të vegjël, e sidomos me ata, të cilët në kontakt me kultura të huaja kanë humbur autoktoninë e trashëguar! Shtresa e mesme dhe e lartë e Shqipërisë, me pak përjashtime, që nga mesi i shek. të 19-të e sot kanë qenë shpirtërisht, shpesh, në lartësi, por moralisht të padenjë për të udhëhequr këta njerëz të mrekullueshëm. ….

Në Shkup, nëpërmjet Hoxhë Sait efendiut, unë mora një telegram nga im atë në Stamboll, ku ai më thoshte se po përgatitej të shkonte në Vlorë dhe se duhej ta prisja atje. Dhe kështu u nisa ngutësisht me tren Nish-Krushevac-Vishegrad-Sarajevo-Mostar-Dubrovnik, ku dhe i hipa anijes së Llojdit, që më zbriti në Vlorë më 30 korrik 1912.

Loading...