Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan deklaroi se vendi i tij nuk ka marrë mbështetjen e domosdoshme të botës, fillimisht të Bashkimit Evropian (BE), lidhur me çështjen e shpërndarjes së barrës rreth pranimit të migrantëve dhe paralajmëroi se Turqia do të detyrohet të hapë kufijtë e saj, raporton Anadolu Agency (AA).
Erdoğan ka folur në takimin me përfaqësuesit e qytetit të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Ankara, ndërsa me këtë rast u përqëndrua në ndodhitë aktuale.
“Do të detyrohemi të hapim kufijtë. A do ta bartim barrën vetë? Nuk kemi marrë mbështetjen e nevojshme nga bota, kryesisht nga Bashkimi Evropian kur bëhet fjalë për ndarjen e barrës në lidhje me migrantët që kemi pritur”, tha Erdoğan.
Ai shtoi se vendi i tij synon të vendosë së paku 1 milion sirianë përgjatë kufirit të gjatë 450 kilometra, në një rajon ku do të formohet një zonë e sigurisë.
“Jemi të vendosur të fillojmë formimin e zonës së sigurisë në lindje të Eufratit deri në fund të shtatorit”, tha Erdoğan.