Erion Braçe: Kjo është dhuna e vjetër sa dy partitë, njëra e stërvjetër dhe tjetra e kthyer e vjetër,ushtarët e të cilëve kanë shpërthyer në dhunë brenda shkollave

Zv.kryeministri, Erion Braçe ka reaguar sot ndaj situatës që është krijuar në disa fakultete të vendit, ku disa studentë kanë nxjerrë karriget dhe tavolinat në korridore, duke shkaktuar kaos dhe duke mos lejuar studentët e tjerë të vijojnë mësimin normalisht.

Braçe e cilëson këtë sjellje si dhunë dhe u bën thirrje që të heqin dorë. “Kjo është dhunë. Dhunë e vjetër sa dy partitë-njëra e stërvjetër dhe tjetra e kthyer e vjetër shumë shumë shpejt, ushtarët e të cilëve kanë shpërthyer në dhunë brenda shkollave”, është shprehur Braçe.

“Dhuna nuk ka lidhje me shkollën”, ka theksuar ai, “madje nuk ka lidhje me as me procesin mësimor. Dhuna tani ka lidhje me Pushtetin”.

“Tetë kërkesat janë tejkaluar prej ditësh të tëra dhe iu adresohen studentëve si zgjidhje edhe më të gjera se sa u kërkua. Por dhuna nuk ka lidhje me to. Dhuna nuk donte zgjidhje që në nisje. Dhuna është instrumenti i këtyre për tek pushteti banal që duan të rikthejnë!”, ka shtuar Braçe

“E mbani mend. Ishte dhe rikthehet në Vitrinën e Kristaltë, ku shkëlqente sistemi i tyre i arsimit të lartë, banal dhe i korruptuar, kriminal. Boll me Dhunë, Hapni Shkollat”, apeloi zv.kryeministri Braçe.

“Konfliktin që po e kërkoni me çdo kusht, nuk do ta gjeni. Ne as rrahim e as vrasim kënd, siç ideologu i dhunës bëri po në janar! Hiqni dorë nga dhuna mbi institucionet dhe të ndryshmin nga ju kudo, duke nisur nga shkollat. Hapni shkollat për studentët që duan mësimin”, ka theksuar Braçe./ATSH/

Loading...