Disa javë në përballje me valën e dytë të koronavirusit, disa vende në Evropë po shqyrtojnë mundësinë e lehtësimit të masave kufizuese, pas disa sinjaleve se masat e ndërmarra kanë frenuar përhapjen e pandemisë COVID-19.
Lehtësimi i mundshëm i masave kufizuese vjen pothuajse një muaj para festave të Krishtlindjes, teksa ka shqetësime për ndikimin social dhe ekonomik të masave restriktive.
Bizneset që shesin me pakicë janë goditur më së shumti nga masat që janë vendosur kundër koronavirusit, duke rritur shqetësimet se vazhdimi i masave kufizuese do të dëmtojnë rritjen afatgjatë ose do të zhysin ekonominë evropiane në një recension të dyfishtë.
Bizneset që shesin me pakicë janë goditur më së shumti nga masat që janë vendosur kundër koronavirusit, duke rritur shqetësimet se vazhdimi i masave kufizuese do të dëmtojnë rritjen afatgjatë ose do të zhysin ekonominë evropiane në një recension të dyfishtë.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron javën e ardhshme është planifikuar që të mbajë një fjalim lidhur me situatën me pandeminë dhe mund të njoftojë për heqjen e pjesshme të masës së mbylljes kombëtare, që është në fuqi që prej 30 tetorit.
Kryeministri francez, Jean Castex tha më 21 nëntor se shpreson se kjo gjë mund të ndodhë “brenda ditësh”.
Në Gjermani, mbi dy e treta e bizneseve po ballafaqohen me rënie të shitjeve gjatë vitit 2020 si pasojë e krizës, është thënë në gjetjet e një ankete të realizuar nga Dhomat e Industrisë dhe Tregtisë Gjermane.
Debati në Gjermani po zhvillohet në atë se nëse duhet që vendimi për mbyllje të pjesshme – që pritet të përfundojë më vonë gjatë këtij muaji – të vazhdohet.
Në shtetin gjerman, pas vendimit për ta mbyllur pjesërisht vendin, dyqanet janë lejuar të punojnë, por duke reduktuar kapacitetin, ndërkaq janë mbyllur restorantet dhe baret.
Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn tha për gazetën Die Welt se masat shëndetësore po kanë ndikim, por ende duhet të bëhet që të frenohet përhapja e mëtejmë e koronavirusit.
“Rritja eksponenciale është bllokuar. Por, ne të gjithë pajtohemi se kjo nuk mjafton”, tha ai, duke theksuar se më të rrezikuarit nga koronavirusi janë veçanërisht të moshuarit.
Kryeministri britanik, Boris Jonson planifikon që t’i japë fund mbylljes mbarëkombëtare ashtu siç ishte vendosur paraprakisht, më 2 dhjetor. Zyra e tij ka thënë se në shtet do të përdoret një sistem prej tri nivelesh të kufizimeve, varësisht se sa zonat janë të prekura nga shpërthime të reja të virusit.
Në Poloni, kryeministri Mateusz Morawiecki paralajmëroi qytetarët kundër çdo udhëtimi gjatë kohës së Krishtlindjes, por ai tha se dyqanet do të lejohen të rihapen plotësisht nga 28 nëntori. Teatrot, baret dhe restorantet do të jenë të mbyllura deri pas Krishtlindjeve dhe në shkolla do të vazhdojë mësimi nga distanca.
Përderisa ka shenja se masat e ndërmarra nga shtetet evropiane kanë ulur numrin e infektimeve të reja, zyrtarët shëndetësorë kanë paralajmëruar se virusi ende paraqet rrezik dhe se rritja e rasteve me koronavirus mund të ndodhë nëse hiqen kufizimet.
Në Shtetet e Bashkuara dhjetëra shtete dhe disa qytete kanë vendosur masa kufizuese që kanë për qëllim frenimin e përhapjes së mëtejmë të koronavirusit, përfshirë kufizim të lëvizjes së qytetarëve, mbylljen e shkollave dhe mbylljen e pjesshme.
Në SHBA, numri i rasteve të reja çdo ditë është afro 200,000 ndërkaq spitalet janë mbingarkuar. Në total, në SHBA janë regjistruar mbi 12 milionë raste me koronavirus, që prej se ka nisur pandemia, ndërkaq, numri i viktimave çdo ditë është mbi 1,300.
Autoritetet shëndetësore amerikane u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe tubimet sociale gjatë festave të Krishtlindjes, ku tradicionalisht, mblidhen familjet dhe miqtë.