Vrasja e shqiptares Angelina Petro nga i ati në Korfuz është trajtuar gjerësisht në emisionin “Mazi sou” (Me ty) të gazetares së njohur greke, Tatiana Stefanidhu në Skai TV. Gazetarë, analistë dhe specialistë të krimeve, kanë diskutuar dhe kanë zbardhur ngjarjen e rëndë, duke sjellë detaje të reja dhe domethënëse.
Në lidhje direkte nga fshati ku jetonte Angelina, gazetarja tregoi se më 1 janar, dy prindërit grekë që kanë adoptuar afganin (pasi i vogël kishte mbetur jetim në luftë), dhe vetë djali shoqëruan viktimën në shtëpinë e të atit dhe e lanë që ta merrnin sërish në orën 22.45. Ata e dinin marrëdhënien e vajzës me të atin, një njeri i egër që sillej keq me vajzën. Pak orë më vonë, gjatë një telefonate, i dashuri dëgjoi sherrin e madh që Angelina po bënte me të atin dhe më pas nuk lidhej dot më, pasi telefoni ishte i mbyllur. Në mëngjes fqinja e viktimës, që jeton në shtëpinë ngjitur gjeti celularin e vajzës dhe së bashku me të dashurin afgan lajmëruan policinë. Gazetarja tregon se gjatë sherrit vajza ishte hedhur nga dritarja në 2 metra lartësi për t’i shpëtuar të atit. Por vrasësi e ndoqi me vrap me shufrën e hekurit në dorë, e kapi në kopsht, ku i dha goditjet fatale dhe në të njëjtin vend e varrosi.
Kamerat rreth shtëpisë tregonin qenin e Angelinës që shkonte vazhdimisht në vendin ku ishte varrosur vajza, dhe kthehej sërish në shtëpi, madje ishte ai që drejtoi policët pikërisht aty. Fqinja greke që ishte bërë edhe kumbara e vajzës, një grua që e mori nën mbrojtje vajzën shqiptare, e përshkruan Angelinën “një vajzë engjëllore”.
Drejtuesja e emisionit Tatiana Stefanidhu transmetoi kronikën e News24 me dëshminë e nënës së Angelinës, duke falenderuar televizionin tonë për bashkëpunimin. Pasi ndoqi dëshminë rrëqethëse gazetarja tha: Shikoni sa e varfër është nëna, shikoni këtë grua që nuk e ka parë vajzën kaq vite. E kërkon trupin e vajzës ta qajë në shtëpinë e saj të varfër”, dhe bëri thirrje për ta ndihmuar atë.
(ed.me/BalkanWeb)