Por cila është jeta e familjes së Rozinës, e cila tashmë numëron 11 anëtarë?
Report Tv ishte pranë kësaj familjeje, e cila jeton në fshatin “Drita”. Rozina ishte kthyer bashkë me djalin e sapoardhur në jetë. Vetë ajo falenderon të gjithë ata që mundësuan që fëmija të lindte mirë. Por kushtet për të jetuar, 41 vjeçarja thonë se nuk i ka, madje ajo shton se tre ditë para se të lindte djalin, kishte shkuar të merrte dru me shpinë.
Tre ditë para se të lindja kam qenë për dru sepse nuk kisha dru për kalamajtë. Erdhën më morën me helikopter e më cuan në spital, infermierja më doli tek rruga. Ishte duke rënë borë, më cuan për në Tiranë. Jam ngushtë, sikurse e shihni vetë i 11, këtu jam, -Rozina Kurti.
Burri i Rozinës nuk ndodhej në shtëpi, pasi kishte dalë për të prerë ndonjë dru për të siguruar bukën e gojës. Ndërsa vjehrra e saj Lirie Kurti, apelon për ndihmë pasi familja e saj tashmë prej 11 anëtarësh nuk mund ta përballojë jetesën. Ata jetojnë në një dhomë të vetme e cila nuk është më shumë se 16 metra katror. Pamjet flasin vetë, ndërsa fëmijëve iu duhet të përballen edhe me acarin e ditëve të fundit që ka mbërthyer vendin.
Jetojmë në këtë dhomë, vetëm këtë dhomë kemi, falemners këtij shteti dhe të gjithëve se na kanë ndihmu me lind në Tironë, se ne nuk kemi terezi, nuk kemi të ardhura kurrkund, -Lirie Kurti, vjehrra e Rozinës.
Skamja në familjen Kurti të fshatit “Drita” është ulur këmbëkryq, ndërsa tashmë i është shtuar një pjestar i ri i cili ka nevojë të ketë kushte më të mira, pasi aktualisht ata jetojnë në një ambient i cili është tërësisht i rrënuar. Ndërsa 8 fëmijët e saj janë thuajse të zbathur dhe po përballen me këto ditë të ftohta dimri.