Janë përcjellë për në banesën e fundit viktimat e sulmit terrorist në Stamboll që shkaktoi vdekjen fatale të 6 qytetarëve dhe plagosjen e 81 personave të tjerë.
Me lot në sy e të pafuqishëm mbi trupat e tyre të pajetë, këto janë pamjet e trishta të familjarëve të viktimave që humbën jetën tragjikisht nga shpërthimi i djeshëm në një nga rrugët më të populluara të Stambolit, Istiklal.
Sot janë përcjellë për në banesën e fundit babë e bijë, çifti Topkara dhe nënë e bijë, të cilët ndodheshin pranë qendrës tregtare në momentin kur ndodhi shpërthimi i fuqishëm që shkaktoi vdekjen fatale të tyre dhe plagosjen e 81 personave të tjerë.
Ishte ora 4 pasdite. Banorët dhe turistët ishin jashtë në një rrugë të frekuentuar këmbësore në zonën qendrore të sheshit Taksim të Stambollit, kur papritmas dëgjuan një tingull shurdhues dhe panë shpërthimin. Menjëherë ata i ka zënë paniku dhe kanë nisur të vrapojnë për t’u mbrojtur ndërsa ata që kanë qenë shumë pranë çantës që shpërtheu nuk kanë pasur kohë të reagojnë dhe kanë humbur jetën.
Deri më tani janë arrestuar 46 persona si të implikuar në këtë sulm, i cili deri më tani është konsideruar terrorist. Arrestimi i gruas që dyshohet se la bombën në Stamboll u njoftua sot, nga ministri i brendshëm turk Suleiman Soylu, duke fajësuar PKK -në, Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, për sulmin e djeshëm