Familjari i dy viktimave që humbën jetën si pasojë e vërshimeve të djeshme në Pejë, Milaim Ademaj rrëfeu momentin se si ndodhi ngjarja.
Gjyshi i nipit 5-vjeçar, Ademaj tha se pavarësisht mundimeve për shpëtim, nuk ia dolën t’i nxjerrin trupat e gjallë.
“Shi ka rënë, ka rrëshqitur një pjesë e kodrës, e ka nxënë shtëpinë, u mbush oborri plot ujë. Deri kur ka pas mundësi e ka mbajt muri, por më pas uji ka depërtuar brenda.
Mezi i kemi shpëtuar dy fëmijët e tjerë, jemi munduar ta shpëtojmë nusen, sepse atë të voglin nuk e kemi pa askund, pastaj e kemi gjet në shtëpi të komshinjve, e nusen e kemi gjet në tretën shtëpi në bodrum”, tha Ademaj.
I afërmi i viktimave, Haki Rama teksa e përshkroi ngjarjen, tha se pavarësisht përpjekjeve për shpëtim, nuk arritëm të shpëtojnë gruan dhe djalin e saj.
“Kjo është tmerrim, kurrë nuk ka ndodhë. Që 70 vjet i kam mbush këtu, dhe kurrë nuk ka qenë uji kështu. Rrugës me ecë uji kështu, e shpiat me ardhë në këtë gjendje, kurrë s’ka ndodhë.
Pesë pare nuk i jepi për dëme, vetëm që janë hup gruaja me djalin… Ne të gjithë kemi vrapu t’i shpëtojmë, bile jam i sëmurë prej këmbës, gati uji më ka çu. Nuk kam mujt asgjë t’i ndihmojë. Vetëm shyqyr i kemi shpëtu një familje aty pranë, e kemi ngreh njeriun zhag deri e kemi shpëtu, se ai ka qenë i palëvizshëm”, tregoi Rama.
Mbrëmë, një grua dhe djali saj 5-vjeçar vdiqën si pasojë e vërshimeve në Pejë. Policia informoi se pas vdekjes së 5-vjeçarit, në lagjen “Asllan qeshme”, u gjet e vdekur edhe nëna e tij, e cila ishte e zhdukur./ KP