Familje, për çdo fëmijë pa kujdes prindëror

Pas vendosjes së kamerave në Shtëpitë e Fëmijëve, ky standard do të zbatohet në çdo institucion përkujdesi, edhe për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuar, me qëllim monitorimin e të gjitha veprimeve që mund të cënojnë sigurinë fizike dhe psikologjike të atyre që janë më të pambrojtur.

Kështu deklaroi sot Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë nënshkrimit të Memorandumit për planin e deinstitucionalizimit për fëmijët që jetojnë në institucione, për t’i kthyer në familjet biologjike, ose për t’u ofruar kujdes alternativ.

“Krijuam 9 skuadrat e terrenit që tashmë janë agjentët tanë në qendrat rezidenciale të fëmijëve për të raportuar çdo parregullsi, por ata janë edhe agjentë në terren për të ndërmjetësuar kthimin e fëmijëve në familjet biologjike dhe identifikimin e familjeve kujdestare”, tha Manastirliu.

Ministrja vlerësoi transformimin e institucioneve rezidenciale të fëmijëve në shtëpi familje.
“Sot jemi pikërisht në një nga këto shtëpi, e rikonstruktuar tërësisht, sipas modelit shtëpi-familje për të krijuar një ambient sa më të ngrohtë për fëmijët, sa më afër ambientit familjar”, tha Manastirliu.

Si Shtëpia e Fëmijëve në Durrës, do të transformohet çdo institucion rezidencial, në shtëpi-familje. Nga Shtëpia e Fëmijëve në Shkozet të Durrësit, Ministrja Manastirliu bëri dhe një apel për drejtuesit e pushtetit vendor, për të treguar më shumë vëmendje për programet sociale dhe kujdesit në territor për çdo familje.

Memorandumi i bashkëpunimit i nënshkruar mes Ministres Manastirliu dhe drejtuesve të Save the Children dhe UNICEF shpreh angazhimin konkret për të jetësuar planin e deinstitucionalizimit, për transformimin e institucioneve të përkujdesit dhe për të siguruar që çdo fëmijë pa kujdes prindëror të ketë një familje./atsh

Loading...