Festa e Gjelit të detit, promovim produkteve të fermerëve të Cakranit

Promovimi i produkteve të fermerëve të Cakranit ishte në fokus të festës së “Gjelit të detit”, një organizim i përvitshëm i bashkisë së Fierit, në prag të festave të fundvitit.

Festa e “Gjelit të detit” vjen si ndërthurje e elementëve tradicionalë të zonës së Cakranit, të folklorit, të prodhimeve vendase, trashëgimisë kulturore dhe natyrore.

Festa ka si qëllim kryesor promovimin e prodhimit vendas, traditës, folklorit, trashëgimisë, shndërrimin e tyre në asete promovuese të zonës dhe nxitëse të agroturizmit.

Cakrani në Fier është një krahinë që shquhet për rritjen e këtij shpendi tradicional që zbukuron tavolinat e darkës së ndërrimit të viteve.

Aktiviteti u konceptua si një panair gjithpërfshirës me prezantime të produkteve bujqësore, blegtorale, produkte të pemtarisë të zonës, bletarisë dhe të prodhimeve të artizanatit.

Po ashtu, nuk munguan as prezantimet e gatimeve tradicionale të zonës së Cakranit nga nxënësit e shkollave të mesme si dhe të amvisave të kësaj zone, si dhe panairi i etnografisë për veshjet tradicionale apo punën e dorës.

Aktiviteti u shoqërua me koncerte me këngë e valle tradicionale burimore nga grupi i Cakranit, si edhe nga nxënësit e shkollave.

“Festa e Gjelit të Detit” në Cakran, synon t’i bëjë jehonë traditës, kulturës, trashgimisë, pasurive kulturore dhe historike të zonës./atsh

Loading...