Festivali i Rinisë në Vlorë – “Gurra Folk Fest”

Rreth treqind të rinj e të reja, nxënës nga disa shkolla të mesme të Bashkive Vlorë e Selenicë, i dhanë jetë edicionit të III-të të “Gurra Folk Fest”, takimi i dytë i zhvilluar në Vlorë pas atij në Sarandë.

Këngët, vallet, meloditë me instrumenta e tinguj sazesh mbushën sot mbrëmjen vlonjate, aty në skenën e Pallatit të Kulturës “Labëria”, në Skelë.
Është mbrëmja për të performuar grupet folklorike por edhe për tu nominuar prurjet më të mira për të qenë pjesë e koncertit të madh të datës 29 mars, ku do të konkurojnë në folk shkollat e mesme të përzgjedhura nga i gjithë qarku i Vlorës.


Aktiviteti zhvillohet nën organizimin e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Vlorë, në bashkëpunim me DAR dhe Qendrën e Artit dhe Kulturës, Vlorë.
Befasues deputimi i të rinjve në folk, ngazëllyese pjesëmarrja e gjerë por edhe pasioni dhe dëshira e tyre për të bërë më të mirën.
Të veshur me kostumet tradicionale të Labërisë, Çamërisë e në përgjithësi të veshjeve tradicionale të jugut të vendit, u mrekulluam sot me atë ç’ka na shfaqën të rinjtë mes ritmeve e ngjyrave folklorike.


Pa sqimë, pa ndroje e pa asnjë ndjenjë inferioriteti, të rinjtë shkollorë vlonjatë na prunë të gjalla këngët dhe vallet e më të rriturve por edhe brezave që këto vlera na i kanë transmentuar në shekuj.


Në takimin final, në ditën e tretë të festivalit, krahas shkollave të mesme të Delvinës, Konispolit e Livadhjasë, do kemi rastin të ndjekim edhe pjesët më të mira që juria përcaktoi nga shkollat e Dukatit, Vllahinës, Tregëtare, Industriale, ” Ali Demi”, Jani Minga”, ” Q. Ataturku”, “Internacional” e Naim Frashëri”, të Vlorës.


Diçka me shumë vlerë kjo që po ndodh këto kohë në Vlorë, në angazhimin e rinisë shkollore në njohjen dhe transmentimin që po i bëjnë folklorit muzikor, si pjesë e rëndësishme e Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore por edhe si sfidë ndaj kohës.


Dua të besoj se Ministria jonë e Kulturës ka të drejtë të krenohet por edhe të bëjë më shumë për mbështetjen e këtyre inisiativave rinore.


DRKK, Vlorë mbetet e vendosur që pikërisht kësaj fushe ti kushtojë jo vetëm kujdes por edhe veprimtari konkrete përballë publikut të gjerë./Sejmen Gjokoli

Loading...