Kombëtarja shqiptare e futbollit ka marrë një lajm të mirë vetëm një muaj para fillimit të pjesëmarrjes së saj në Ligën e Kombeve 2022-2023. UEFA ka vendosur zyrtarisht që të përjashtojë kundërshtarin e saj më të fortë në grup, Rusinë, nga të gjitha aktivitet në rang klubesh dhe kombëtaresh për vitin e ardhshëm, duke filluar pikërisht nga pjesëmarrja në Ligën e Kombeve.
Në mbledhjen e sotme të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, është vendosur që të merret kjo masë për të garantuar që planifikimi dhe zhvillimi i sezonit të ardhshëm të zhvillohet në kushte normale, pa pasur gjithmonë dyshimet që Rusia do të jetë apo jo e sanksionuar për shkak të luftës në Ukrainë.
“Rusia nuk do të marrë pjesë në Grupin 2 të Ligës B dhe do të renditet automatikisht e katërta në këtë grup. Si rrjedhojë, ata do të bien në fund të fazës në grupe dhe do të renditen në vendin e 16, të fundit, në Ligën B”, shkruhet në pjesën e vendimit që i përket pjesëmarrjes në Ligën e Kombeve 2022.
Ky lajm është i mirë për Shqipërinë pasi i jep asaj një mundësi reale për të fituar grupin, ku tashmë kundërshtare ka vetëm Islandën dhe Izraelin, ndërsa garanton që nuk do të bjerë nga kjo Ligë në fund të edicionit, duke qenë të paktën edhe një tjetër sezon në Ligën B me kundërshtarë më të fortë e më shumë të ardhura financiare.
Të njëjtin fat si kombëtarja A e meshkujve e kanë pësuar edhe ato të moshave, ashtu si edhe për futbollin e femrave, futbollin e sallës, si dhe është bërë e ditur se asnjë klub rus nuk do të merrte pjesë në Ligën e Kampioneve, Ligën e Europës apo Ligën e Konferencës në edicionin 2022-2023. Gjithashtu, UEFA ka refuzuar aplikimin e Rusisë për të qenë vendi organizator i EURO 2028/2032.