Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka filluar implementimin e programit “Përshkallëzimi dhe sigurimi i qëndrueshmërisë së përgjigjes kombëtare ndaj HIV/SIDA-s”, financuar nga Fondi Global në luftën kundër HIV/AIDS, Malarie dhe TB.
Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë Fier, bën me dije se një komponent i rëndësishëm i këtij programi është krijimi i qendrave të reja për të ofruar falas terapinë mbajtëse me Metadon për personat që injektojnë drogë.
Qendrat e terapisë mbajtëse me Metadon janë të shpërndara në disa qytete të Shqipërisë, ku së fundmi janë përhapur edhe në qarkun e Fierit pranë Drejtorisë Rajonale të Shëndetësisë, e cila do të ofrojë terapinë falas për personat që janë përdorues të drogërave.
Përveç terapisë mbajtëse me Metadon, personat që injektojnë drogë do t’u jepen këshillime falas nga stafi i mjekëve dhe psikologëve që operojnë në këtë qendër si dhe do kontrollohen me teste të shpejta per HIV dhe infeksione të tjera seksualisht të transmetueshme./atsh